Nga Aleksandra Tomanic, Gazela Pudar Drasko and Vedran Dzihic, BalkanInsight
Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, politika është në duart e politikanëve më të vjetër, e ngulitur thellë në strukturat e pushtetit partiak. Kjo lloj politike është ende e lidhur me idenë e një shteti me vizion autoritar të shoqërisë, me procese hierarkike të vendimmarrjes dhe njerëz të fortë në krye.
Gjatë viteve të fundit ka pasur disa ndryshime në rajon. Ndryshimet u panë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kohët e fundit, rizgjedhja e Vetëvendosje në Kosovë dhe zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidentja e dytë femër në historinë e Kosovës, dëshmoi se një pjesë e rajonit ka ecur përpara.
Sidoqoftë, edhe në këto vende, sfidat janë të mëdha. Për më tepër, duhet ta pranojmë se vizioni europian për rajonin ka qenë dikur më i qëndrueshëm. Disa argumentojnë se BE po humbet terren në rajon dhe po përballet me një konkurrencë anti-demokratike nga Kina ose Rusia.
Nëse kjo është e vërtetë, lind pyetja se çfarë po ndodh me demokracinë, lirinë, drejtësinë dhe barazinë – me të gjitha këto parime që janë themeli i përpjekjeve për demokracinë.
Demokracia është e gjallë brenda qytetarëve të angazhuar rreth iniciativave lokale, lëvizjeve sociale, mediave të lira dhe të pavarura, bizneseve sociale ose thjesht brenda individëve të guximshëm.
Të gjithë i kujtojmë protestat në Bosnjë dhe Hercegovinë në 2013 dhe 2014, e ashtuquajtura “Pranvera Boshnjake”, kur, për herë të parë që nga lufta 1992-5, qytetarët boshnjakë ndiheshin vërtet të aftë të ushtronin presion mbi autoritetet përgjegjëse.
Ata menduan se një fuqi transformuese ishte një pjesë e kërkesave të tyre dhe se kryengritja e tyre e përbashkët kishte potencialin të ndryshonte sistemet e bllokuara politike dhe ekonomike të Bosnjës. Shumë protesta dhe iniciativa të tjera qytetare ndoqën modelin boshnjak duke sfiduar autoritetet e korruptuara dhe të papërgjegjshme për një ndryshim demokratik.
Ajo që është gjithashtu e rëndësishme janë shumë iniciativa lokale të krijuara kohët e fundit të iniciuara rreth problemeve lokale.
Rezistenca e Rakitës në Serbi, për shembull, bashkoi fshatarët duke organizuar grupime për të ndaluar ndërtimin e një hidrocentrali në lumin Rakita. Lëvizja Grave Trime të Kruçicës nga Bosnja u organizua rreth çështjeve të ngjashme. Rezistenca e qytetarëve në malin Sinjajevina në Mal të Zi është një shembull tjetër. Në Shqipëri, qytetarët u ngritën kundër shembjes së Teatrit të vjetër Kombëtar në Tiranë.
Janë pikërisht iniciativat lokale që në një mënyrë specifike inkurajojnë qytetarët në komunitet, duke dhënë shembuj inovativë të mobilizimit dhe organizimit. Këto iniciativa lokale shfaqin një vullnet për demokratizimin e shoqërive. Në të gjithë rajonin, ne po shohim shembuj të njerëzve që organizohen në lagjet e tyre, që grumbullohen së bashku për të luftuar për lumenjtë, parqet dhe qytetet e tyre duke e njohur veten si qytetarë.
Ato përfaqësojnë një thirrje të mirëfilltë për demokraci dhe kanë potencialin për rilindjen demokratike duke hapur rrugë dhe duke krijuar metoda të reja për pjesëmarrje dhe eksperimente demokratike. Pavarësisht nëse janë lëvizje më të mëdha, iniciativa më të vogla lokale apo gazetarë të guximshëm që ngrihen kundër shteteve dhe shoqërive të gjithë ata ndajnë, ushqejnë dhe luftojnë idenë e një shoqërie më të mire.
Qytetarët e angazhuar, iniciativat dhe lëvizjet lokale në të gjithë rajonin kanë treguar se ekziston një energji dhe një vullnet për ndryshim dhe se njerëzit janë të gatshëm të investojnë kohën e tyre, si dhe integritetin e tyre, në luftën për ndryshime konkrete dhe krijimin e besimit brenda komuniteteve të tyre .
Gjatë gjithë pjesëmarrjes dhe në shkëmbimin me iniciativat qytetare në rajon, ne kemi mësuar të vlerësojmë fuqinë e barabartë, solidare dhe të përbashkët midis individëve dhe grupeve pa lojërat e vjetra hierarkike dhe të pushtetit që ne të gjithë i njohim nga arena politike. Duke kërkuar për një metaforë të fuqishme për këtë lloj procesi horizontal të punës dhe veprimit së bashku në mënyrë të barabartë, dhe pa hierarki, ne ri-zbuluam termin ” rizoma “.
Rizoma është një kërcell bimor që rritet horizontalisht, shpesh nën tokë, duke prodhuar shumëllojshmëri rrënjash dhe gjethesh. Filozofi francez Gilles Deleuze përdori konotacionet pozitive të termit dhe metaforës për të zhvilluar një koncept të tërë filozofik të “rizomës”, duke u përqendruar në parimet e lidhjeve, shumëllojshmëritë e marrëdhënieve tona me njerëzit e tjerë – edhe kur një rizomë vyshket ajo fillon të rritet përsëri përgjatë vijave të saj të vjetra ose të reja.
Kjo është ajo që ne duam të arrijmë me EDI (Iniciativa e Demokracisë) -vendosjen e lidhjeve të barabarta, ndarjen e njohurive dhe përvojave, solidarizimin me të tjerët dhe që kurrë mos të heqim dorë nga lufta për një shoqëri më të mirë.