MENU
klinika

Sa vaksina janë në dispozicion?

Mbi 10 mijë të moshuar të planifikuar për dozën e dytë të vaksinës kineze

29.04.2021 - 08:30

Një muaj pas aplikimit të vaksinës kineze, pensionistët janë njoftuar për të injektuar dozën e dytë, e cila ofron mbrojtje gati 52 për qind ndaj COVID-19.

E pranishme në sheshin “Skënderbej”, ku janë ngritur edhe dy çadrat e vaksinimit, ministrja Manastirliu tha se janë planifikuar 10 mijë të moshuar për t’u rivaksinuar. “Sot kemi ditën e rivaksinimeve. Sot kemi mbi 10 mijë të moshuar të planifikuar për t’u rivaksinuar dhe kalojmë në mbi 425 mijë vaksinime. Aktualisht, kemi disponibilitet mbi 300 mijë vaksina”, tha ministrja. Veç personave mbi 60 vjeç në radhë për vaksinën janë edhe punonjësit e shërbimeve kritike. Ndërsa në total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer 417,146 doza të vaksinës ndaj COVID-19, prej të cilave 322,710 vaksinime për personat mbi 60 vjeç. Për të moshuarit po aplikohet vaksina kineze, Sinovac për të cilën zërat kundër nuk kanë qenë të paktë. Kjo së paku për tri arsye. Së pari, sepse kjo vaksinë nuk është e certifikuar nga rregullatorët europianë, së dyti në vendin e origjinës, pra në Kinë nuk po aplikohet te grupmoshat mbi 60 vjeç dhe së treti shkalla e ulët e efektshmërisë. Të dhënat klinike kanë treguar se kjo vaksinë është vetëm 52 për qind efektive.

RASTET

Por, cila është situata e pandemisë në vendin tonë? Rënia e rasteve të reja ka sjellë edhe rënie të numrit total të të infektuarve aktivë që ka zbritur në rreth 20 mijë. Të mërkurën autoritetet kanë raportuar 123 raste të reja nga 2258 testime të kryera. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 32 raste në Tiranë, 9 raste në Fier, 8 raste në Sarandë,7 raste në Gjirokastër, 5 raste në Durrës, Korçë, Lushnje, 4 raste në Shkodër, Tropojë, Mallakastër, Pogradec, Gramsh, Skrapar, 3 raste në Devoll, Mirditë, Berat, 2 raste në Krujë, Kavajë, Vlorë, Kamzë, Patos,1 rast në Kurbin, Elbasan, Kukës, Lezhë, Pukë, Përmet, Peqin, Memaliaj, Vorë”, ka bërë me dije Ministria.

SITUATA

E qëndrueshme vijon të paraqitet situata edhe në spitalet COVID, ku numri i të shtruarve po ashtu ka ardhur në rënie. Aktualisht në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 122 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar, çka do të thotë se më pak se 1 për qind e të infektuarve aktivë janë duke marrë trajtim spitalor. Lidhur me fatalitetet, në 24 orët e kaluara janë raportuar 3 humbje jete. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor 3 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 1 qytetar nga Tirana, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Korça, të moshave 65- 84 vjeç”. Ndërkohë, prej fillimit të pandemisë, sipas të dhënave zyrtare janë 2,386 persona që kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19. Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Referuar INSTAT dhe Regjistrit të Gjendjes Civile përgjatë një viti pandemik janë regjistruar mbi 10 mijë vdekje shtesë, kjo në krahasim me mesataren e 5 viteve të fundit. Kjo do të thotë që goditja e marrë nga pandemia është disa herë më e rëndë se ajo e paraqitur nga autoritetet shëndetësore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e shefit të Kardiokirurgjisë, Prof.Edvin Prifti

“Inteligjenca virale” dhe të pathënat e vaksinave të Koronavirusit

"Mos dëgjoni politikë-qenërit. Enverizmi ende frymon..."

Apeli i profesor Tritan Kalos për vaksinën kineze. Si shqiptar, si mjek…