Kuvendi i Kosovës në orën 18:00 është mbledhur në seancën e posaçme për zgjedhjen e presidentit. Në këtë seancë pritet të shihet nëse Vjosa Osmani do të arrijë që të ulet në karrigen e presidentes së Kosovës.
Ndërkohë deri më tani nuk dihet nëse të gjithë deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në procesin e votimit të Vjosa Osmanit, meqë brenda grupit parlamentar janë disa emra të cilët kanë vetëm histori përplasjesh me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.
Bëhet fjalë për Agim Veliun, Avdullah Hotin e Driton Selmanajn, votat e të cilëve janë në pikëpyetje të madhe, derisa mbetet të shihet se cili do të jetë edhe qëndrimi i Behgjet Pacollit.
Në rast se VV nuk merr të gjitha votat e LDK-së, pa votat e AAK-së, PDK-së dhe të Listës Serbe, do të jetë e pamundur zgjedhja e presidentit.
Ndërkohë thirrjet e Ambasadave të huaja në vend janë që të gjithë deputetët të marrin pjesë në seancën për presidentin dhe të përmbyllet cikli i formimit të institucioneve. Kësaj seance i ka paraprirë tërheqja e Ligjit për Zgjedhjet nga Kuvendi i Kosovës, që ishte edhe kusht i LDK-së për Vetëvendosjen.
“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,saktëson Kushtetuta e Kosovës.
Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.