MENU
klinika

"Shqipëria nuk ka energji të shkojë në zgjedhje të reja"

Mentor Nazarko: Në këto zgjedhje, rezultati do të jetë i ngushtë, përcaktuese PSD e Tom Doshit

23.04.2021 - 17:05

Analisti Mentor Nazarko, ka komentuar në “Top Talk”, me gazetarin Denis Dyrnjaja, sondazhin e fundit të IPSOS për zgjedhjet e 25 prillir.

Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS) ka publikuar së fundmi, sondazhin e fundit dhe projeksionet e opinionit publik mbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 Prillit dhe në veçanti rezultatet e pritshme për kryeqytetin.

Qytetarët janë pyetur nga IPSOS për drejtimin në të cilin po shkon vendi, disa nga çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballet Shqipëria dhe figura politike që qytetarët besojnë më shumë.

Mentor Nazarko tha se sondazhet tregojnë prirjet, dhe se partitë e vogla do të kenë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.

“Sondazhet aktuale tregojnë prirje, por nuk merren për të mirëqena. Mendoj se rezultati është i përafërt. Dhe do të kenë ndikim partitë e vogla.

Pse e them këtë? Është dëshira që e reja të na nxjerrë pak jashtë atij modelit 30-vjeçar të pluralizmit”.

I pyetur nëse IPSOS  e tregon këtë ndikim, Nazarko u shpreh:

“Është e vërtetë që LSI ka pësuar rënie, sepse ajo kërcënohet nga të dyja palët, edhe nga PD, që po merr elektoratin e vet, por dhe nga PS që ka më shumë fuqi joshëse, ndaj besoj që nuk është rezultati real i LSI.

Për sa i përket partive të tjera, për shkak të sistemit tonë zgjedhor, unë mendoj se ato mund të ndikojnë në dobësimin e fuqisë së opozitës, në veri dhe të shumicës në jug.

E kam fjalën  për lëvizjen e zonjës Topalli, që mund të kërcënojë opozitën në qarkun  Shkodër, si dhe Partia Social Demokrate, e zotit Doshi,  i cili është një realitet elektoral i konsoliduar që nga viti 2009 kur ai u shfaq në politikë, duke luajtur me ato komunitetet që duket se janë të prirura të mos votojnë PS-në, duke ofruar një sigël, që duket interesante, duket tërheqëse për ta.

Pra, dhe partitë e tjera janë interesante.

Duket në këtë sondazh, është fakti që kjo parti që pretendon  shumë mandate, 4 ose 5, unë mendoj që edhe sikur të marrë gjysmat, mendoj që do të jetë faktor përcaktues në rezultatin  përfundimtar, krijimin e shumicës.

Zoti Doshi mund të kishte zgjedhur t’i ishte afruar PD-së, por PD e ka kritikuar, si dhe përplasja me ambasadën amerikane mund të ketë ndikuar.

Por mendoj që një parti si ajo mund të kenë dorë në fatin e zgjedhjeve, por edhe partitë e tjera mund të kenë dorë gjithashtu”, duke përmenduar Jozefina Topallin  Myslim Murrizin, Astirt Patozin, dhe pse jo Vetëvendosjen.

I pyetur nga gazetari, nëse mund të shkojmë sërish në zgjedhje nëse kemi rezultat të paqartë, meqënëse të dyja partitë shikojnë rezultate ekstreme, Mentor Nazarko tha:

“Unë e besoj që rezultati është i ngushtë, besoj dhe që partitë e vogla do të përcaktojnë rezultatin. 

PD-ja mund të ishte treguar pak më elastike ndaj partisë së zotit Doshi, i cili nuk ka ndonjë rreshtim ideologjik, dhe për interesat e veta do t’i leverdiste të kishte marrëdhënie të mira me të gjitha qeveritë, për industrinë farmaceutike që ka. Ai do të jetë faktor kyç, në përcaktimin e shumicës së re.”

Pas ndërhyrjes së gazetarit Dyrnjaja, që përmendi që duket se Rama e ka përjashtuar këtë element, mesa duket do një mazhorancë të kthjellët dhe për shkak të qëndrimit të ambasadës amerikane, Nazarko tha:

“Nuk e di. Rama kishte diçka relative dje në Opinion. Ajo është parti e majtë në emërtesë, ndonëse një kapitalist që përfaqëson një parti të mjatë është diçka që duket paradoksale. Në fund të fundit, edhe në Kosovë është bërë kolacion me partitë serbe.”

I pyetur edhe nëse Basha mund të bëjë koalicion, Mentor Nazarko u shpreh:

“Nuk di të them këtë. Ajo që më intereson nga këndvështrimi i interesit publik, më intereson stabiliteti i vendit. Shqipëria nuk ka energji të shkojë në zgjedhje të reja, nuk e shoh formulën sesi mund të kishte qeverisje Rama-Basha, por unë nuk jam kundër një qeverisjeje me bazë të gjerë, për objektivin e integrimit, i cili është një objektiv me interes kombëtar. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet të çelin negociatat, dhe kjo shpjegon në fund të fundit edhe interesin perëndimor për të shtypur që në gjenezë këto incidente që kanë lindur në Elbasan, apo që mund të lindin në Shkodër.

Imazhi i Shqipërisë si vendi anëtar i NATO-s ku do të zhvillohen manovrat apo që SHBA ka interes që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian, është një lloj çudie, në përpjekje për të frenuar atë ndërhyrjen ruse dhe kineze në B allkan.

Objektivi i integrimit justifikon çdo lloj marrëveshjeje midis partive të mëdha.”