MENU
klinika

Luftëtar pasionant...

Mikel Maruli, poeti më i madh i Rilindjes

11.04.2021 - 12:52

           Shënohet sot, 521-vjetori i vdekjes së poeti i periudhës së Rilindjes, Mikel Maruli (1453-1500). 

Një poet latin i Rilindjes evropiane, për të cilin është thënë se, ka prejardhje arvanitase, ishte Mikel Maruli (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus.

Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare, me prejardhje nga Moreja, pak muaj pas rënies së Konstantinopojës.

Familja e tij u vendos në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet, si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante.

Maruli është autor i katër librave me epigram latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës.

Ai konsiderohet si ripërtëritësi i veprës së Lukrecit dhe i adhurimit të tij për natyrën. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510), piktori i rëndësishëm i Rilindjes Europiane na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina, më 11 prill 1500.

Krijimtaria e tij, pati një ndikim të madh në letërsinë e viteve 1500.

Pier Ronsar, autori i një soneti për Skënderbeun i kushtoi një epigram Mikel Marulit, Epigrammata et hymni, Paris, 1561 – ku e shpallte si poetin më të madh të kohës.

Filozofi italian Beneddo Crocce do t’i kushtonte një ese në vitin 1938: «Michele Marullo Tarcaniota: le elegie per la patria perduta ed altri suoi carmi», Bari, 1938.

Kohët e fundit, është botuar e plotë, vepra e tij, nga Oxford University Press.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkrimtari grek: Historia është histori!

“Arvanitasit as nuk flisnin greqisht”