MENU
klinika

Serie A, Java 29

Milan ngec në shtëpi, titulli edhe më larg

03.04.2021 - 13:36

Milan ka bërë një tjetër hap fals në luftën për titull, teksa ka barazuar 1-1 në shtëpi me Sampdorian. Dy pikë të lëna që do të ndikojnë shumë në këtë fund të kampionatit.

Pavarësisht lojës jo të mirë, kuqezinjtë e Piolit për pak sa nuk e fituan ndeshjen në fund, por Kessie u ndal nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por me një Sampdoria më kërkuese dhe që krijoi disa raste përpara portës, me Donnarummën që ishte vendimtar për Milanin.

Në fillimin e pjesës së dytë ishte një gafë e pabesueshme e Theos që i dhuroi golin miqve. Theo ktheu gabimisht një top mbrapa dhe Quagliarella përfitoi duke mposhtur Donnarummën e papërgatitur. Menjëherë pas golit, Sampdoria mbeti me 10 lojtarë, ku ishte Adrien Silva që mori kartonin e dytë të verdhë.

Milan e shtoi presionin, por vetëm në fund u zgjua. Hauge ishte ai që shënoi golin e barazimit në minutën e 87’, duke ndezur shpresën për një përmbysje të çmendur. Në minutën e 93’ ishte edhe episodi që “vrau” akoma më shumë kuqezinjtë, pasi Kessie u ndal nga shtylla.

Kështu, gjithçka u mbyll në barazim 1-1, me Milanin që zhgënjen edhe një herë tjetër në “San Siro”. Milan mbetet në vendin e dytë me 60 pikë, 5 më pak se Interi që ka dhe 2 ndeshje për të luajtur. Hap fals që rrezikon dhe pozitat për zonën Champions, pasi ndjekësit mund të afrohen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN