Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tregon përse avioni që zbriti sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit zbriti fillimisht në Rinas.
Sipas Ballukut, ndërtimi i këtij aeroporti në fillim dukej projekt i vështirë. “Në vitin 2018, Rama më tha që do të bëhet një aeroport, i thashë që do të jetë shumë i vështirë. Më tha nisni punën se do ta bëni. Dhe ja ku është. Nuk ka asnjë shans të ndërtohet një aeroport më shpejt se kaq. Është bërë nga puna e grave dhe burrave të Kukësit. Ju nuk keni asnjë dyshim që avioni i parë u ul, Rama di t’i bëjë punët, mban fjalën”.
Balluku sqaron se në 17 qershor do të përfundojnë procedurat për aprovimin e fluturimeve ndërkombëtare.
“Dua të sqaroj, sigurisht në aviacion ka rregulla, të cilat ne i respektojmë. Nga sot do të nisin të gjitha testet nga kompanitë ajrore, për të provuar pistën, procedurat dhe çfarë është më e rëndësishme, për ta bërë këtë aeroport më tërheqës. Në 17 qershor do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë. Nga ky moment i lihet në dorë koncensionarit. Një aeroport lëviz ekonominë. Pasagjerët vijnë në vend dhe gjenerojnë të ardhura. Ky aeroport do të sjellë zhvillim në ekonomi”.