MENU
klinika

Formula 1

Ndryshon pista e Australisë, 12 pozitivë nga 8 mijë teste

02.04.2021 - 11:05

Ndryshe nga vitet e tjera, gara e Çmimit të Madh të Australisë në Formula 1 do të zhvillohet më 21 nëntor. Dhe deri atëherë pilotët do të kenë një pistë të modifikuar, për ta bërë garën më spektakolare. Në janar nisën punimet, që edhe në këtë periudhë pandemie nuk u ndalën asnjëherë.

Për pasojë, pista e Melbourne Park, ku zhvillohen garat e Formula 1, është bërë më e modernizuar, më e shpejtë dhe janë rritur mundësitë për parakalime. Pista në disa vende është zgjeruar dhe në disa kthesa është bërë më e shpejtë.

Këto modikime janë bërë pas kërkesës së mjaft pilotëve, që i kanë testuar ato në simulator dhe janë dukur me efikase. Ndryshime që vijnë pas 25 vitesh nga pista origjinale. Ndaj, koha totale e një xhiro pritet të jetë 5 sekonda më e shpejtë.

Ndërkohë, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit dhe Formula 1 publikuan një deklaratë, ku thuhet se para, gjatë dhe pas garës së Çmimit të Madh të Bahrein nga 22 deri më 28 mars, janë zhvilluar në total 8150 teste anti-Covid dhe kanë dalë pozitivë 12 persona.

Një numër shumë i vogël personash kanë dalë pozitivë, duke parë numrin e madh të testeve që janë kryer, për të mbajtur nën kontroll situatën. Dihet vetëm që 2 nga 12 personat që dolën pozitivë janë të skuadrës Aston Martin, lajm ky që u publikua që para garës.

Kjo fushatë testimesh anti-Covid do të vijojë çdo fundjavë që zhvillohen gara të Formula 1, ndërkohë që edhe çdo skuadër kryen vetë teste gjatë periudhës që nuk ka gara. Gara e radhës do të zhvillohet më 18 prill në Imola të Italisë, pa tifozë, ndërsa në Bahrein gara u zhvillua me publik.