MENU
klinika

Ditari i panjohur i Enver Hoxhës

“Në Kosovë kanë ardhur forca të mëdha të milicisë serbe”

10.04.2021 - 08:51

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-prill 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”. Por ndryshe nga ai qëndrim, regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare

“Siç bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, në Prishtinë e në Podujevë, dje dhe sot, studentët, me të cilët janë bashkuar edhe punëtorë, shpërthyen në demonstrata dhe, përleshje të tjera, më të furishme se të parat. Situata është bërë shumë e nderë. Autoritetet jugosllave Prishtinën e kanë rrethuar me tanke. Në Kosovë kanë ardhur nga Beogradi forca të mëdha policie dhe të milicisë serbe. Është shpallur gjendja e shtetrrethimit, është ndaluar qarkullimi me grupe dhe filluan llogjet e lakenjve titistë, që nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Asllan Fazllija e të tjerë. Ç’nuk thanë ata kundër demonstruesve, përdorën të gjitha fjalët që përmban fjalori titist, bënë akuzat më të ndyra: “Nacionalistë shqiptarë”, “irredentistë”, “informbyroistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë” etj. Pas të sharave dhe akuzave kundër studentëve shqiptarë, hosanara për Titon, për titizmin, për vet administrimin dhe për “fitoret e Kosovës”. Pas hosanarave për titizmin, premtime mashtruese “do të bëjmë këtë”, “do të bëjmë atë”, “ka vështirësi, po fajin e ka kriza botërore” etj. Më në fund arrestimet e shumta dhe kërcënime për raprezalje akoma më të mëdha. Është e qartë, kosovarët janë të shtypur, të mjeruar, janë gjakosur nga serbomëdhenjtë dhe nga titizmi”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 3 prill të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës, e cila asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), që e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.

Ashtu siç dihet tashmë, gjë të cilat do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.

 

 

Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”! Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Naim Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor, Enver Hoxhës, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.

Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë objekt I këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al boton për herë të parë dhe të plotë, duke filluar nga numri i sotëm.

Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it

VLORE, E MERKURE

1 PRILL 1981

DEMONSTRATA TË FUQISHME POLITIKE NE KOSOVE

Nga njoftimet që japin agjencitë e huaja të lajmeve, mësojmë se në Kosovë shpërthyen sot demonstrata të fuqishme veçanërisht nga studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës. Siç thonë këto agjenci, gjatë përleshjeve me policinë pati një ose dy të vrarë. Të plagosurit nga studentët dhe nga policia janë shumë. Thuhet, gjithashtu, se u arrestuan me dhjetëra studentë dhe se ata po torturohen. Demonstrata janë bërë dy herë gjatë dhjetëditorit të fundit të muajit mars dhe të dy herët ato janë shpërndarë me dhunë. Herën e parë udhëheqja jugosllave nuk bëri fjalë, herën e dytë shpërtheu kundër demonstruesve me akuza shpifarake e me epitete nga më të ndryshmet, si dhe me dhunë rankoviçiane, si qëmoti. Thuhet se studentët janë ankuar kundër gjendjes së mjeruar ushqimore në mensat e konvikteve të universitetit, si dhe të lënies pas dore të ekonomisë së Kosovës. Por, siç po duken punët, demonstrata ka marrë karakter politik. Në fakt, siç thuhet, studentët thërritnin: “Duam Kosova të bëhet republikë”.

VLORË, E ENJTE

2 PRILL 1981

ACAROHET GJENDJA NE KOSOVE

Në Kosovë po acarohet gjendja. Rriten përleshjet e studentëve me policinë. Është shpallur gjendja e shtet – rrethimit.

VLORE-TIRANE E PREMTE

3 PRILL 1981

PERLESHJE TE REJA E TE FUQISHME NË QYTETET E KOSOVES

Siç bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, në Prishtinë e në Podujevë, dje dhe sot, studentët, me të cilët janë bashkuar edhe punëtorë, shpërthyen në demonstrata dhe, përleshje të tjera, më të furishme se të parat. Situata është bërë shumë e nderë. Autoritetet jugosllave Prishtinën e kanë rrethuar me tanke. Në Kosovë kanë ardhur nga Beogradi forca të mëdha policie dhe të milicisë serbe. Është shpallur gjendja e shtetrrethimit, është ndaluar qarkullimi me grupe dhe filluan llogjet e lakenjve titistë, që nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Asllan Fazllija e të tjerë. Ç’nuk thanë ata kundër demonstruesve, përdorën të gjitha fjalët që përmban fjalori titist, bënë akuzat më të ndyra: “Nacionalistë shqiptarë”, “irredentistë”, “informbyroistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë” etj. Pas të sharave dhe akuzave kundër studentëve shqiptarë, hosanara për Titon, për titizmin, për vet administrimin dhe për “fitoret e Kosovës”. Pas hosanarave për titizmin, premtime mashtruese “do të bëjmë këtë”, “do të bëjmë atë”, “ka vështirësi, po fajin e ka kriza botërore” etj. Më në fund arrestimet e shumta dhe kërcënime për reprezalje akoma më të mëdha. Është e qartë, kosovarët janë të shtypur, të mjeruar, janë gjakosur nga serbomëdhenjtë dhe nga titizmi. Tani, siç duket, kanë gjykuar se u mbush kupa dhe se ishte momenti i volitshëm që të kërkonin të drejtat që u janë mohuar. Sa dëgjojmë e mësojmë nga informacionet e agjencive të huaja të lajmeve, radiot e televizioni i huaj, pse ne nuk kemi fare gisht në këtë punë, në këtë çështje ka pasur organizim të dobët, por edhe elementë të huaj që kanë manipuluar. Nuk ekskludohet edhe agjentura e jashtme, por, në analizë të fundit, mendoj se këtyre, në këto momente, nuk u intereson edhe aq turbullira, sidomos në Jugosllavi. Arsyet e vërteta duhen kërkuar e gjetur në faktorin e brendshëm, në vetadministrimin që dështoi, në borxhet e mëdha, në ngritjen e çmimeve, në inflacionin, në papunësinë, në mjerimin e masave, si dhe në problemet nacionale që janë zgjidhur në mënyrën më shoviniste nga titizmi. Të gjitha këto të këqija rëndojnë më shumë në kurriz të shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi. Nuk mund të përjashtohet edhe manipulimi i agjenturës serbomadhe kundër vetë sistemit, i separatistëve kroatë etj., që gjetën terrenin e Kosovës si hallkën më të dobët të Federatës Jugosllave. Sidoqoftë, kjo që ngjau në Kosovë ishte një grusht i rëndë për titistët që duan t’i japin botës përshtypjen se “në Jugosllavi çdo gjë është zgjidhur drejt” — çështja nacionale, socializmi, demokracia, stabiliteti etj., etj. Gjithë sistemi i tyre mban erë…

E SHTUNE

4 PRILL 1981

TITISTET SILLEN EGER ME DEMONSTRUESIT KOSOVARE

Dje në mëngjes, më 3 prill, u kthyem nga Vlora me Nexhmijen dhe me fëmijët. Ngjarjet në Kosovë më kanë preokupuar e më kanë shqetësuar shumë, pse titistët e poshtër jugosllavë, sipas lajmeve të agjencive, kanë sulmuar me mjetet më të egra popullin dhe studentët që në mënyrë paqësore kërkonin përmirësimin e konditave të tyre të jetesës dhe statusin e republikës për Kosovën në kuadrin e Federatës Jugosllave.

E DIEL

5 PRILL 1981

BYROJA POLITIKE DISKUTON MBI NGJARJET NE KOSOVE

Thirra mbledhjen e Byrosë Politike, ku diskutuam mbi ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat që duhet të marrim ne. Të gjithë shokët ishin plotësisht dakord me propozimin që bëra për të shkruar një artikulll të rreptë kundër dhunës së serbomëdhenjve jugosllavë ndaj popullit e studentëve kosovarë, si dhe me tezat që kisha përgatitur për të. Vendosëm që artikulli të botohet sa më parë. I dhashë Ramizit disa teza.

E MARTE

7 PRILL 1981

ÇFARE POHON E ÇFARE MOHON ZOTI DRAGOSAVAC

Shënime

Zoti Dushan Dragosavac, ju, në fjalimin tuaj, që mbajtët më datën 3 prill, drejt thoni në një vend: “Përvoja ka treguar se vazhdimisht kemi pasur dëme kur i kemi lënë pas dore momentet që paraqiteshin për ne si historike”. Kjo këshillë “e vlefshme” që jepni ju, nuk është me vend vetëm për udhëheqjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, por është një kujtesë edhe për Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, nuk është një rekomandim vetëm për popullin serb, por edhe për popullin shqiptar që jeton në trojet e veta në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Por ne dëshirojmë të theksojmë, me këtë rast, se ju asgjë nuk keni lënë në harresë dhe historinë nuk keni dashur ta shikoni ashtu si duhej shikuar, që e kaluara e hidhur të mos përsëritej. Zoti Dushan Dragosavac, po në këtë fjalim ju thoni edhe këto: “Ne kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e kombësive të republikave kombëtare dhe, në kuadrin e Republikës Socialiste të Serbisë, çështjen e krahinave autonome”. Ky pohim juaji tregon se, edhe pas Luftës Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, historia e vjetër nuk u harrua; Kosova mbeti “një krahinë autonome” e Republikës Socialiste të Serbisë dhe popullsia shqiptare kompakte, si nga kombësia, ashtu edhe nga territori, u nda në mes tri republikave të Federatës Jugosllave. Pse u bë kjo kështu, ju bie ta shpjegoni ideologjikisht, politikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. Po të bëhej një analizë e tillë, atëherë mund të gjykohet se sa vlerë kanë afirmimet tuaja kur thoni: “Ne kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme çështjet e kombësive dhe të republikave kombëtare”. Zoti Dragosavac, në vazhdim të pikëpamjeve tuaja, se gjoja i keni zgjidhur drejt çështjet e kombësive, ju në fjalimin tuaj vazhdoni të thoni edhe këto: “Megjithatë, do të ishte iluzion të mendohej se këtë e kemi zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe të përsosur dhe se nuk do të ketë probleme ndërnacionale”. Qartë, ju pohoni se “nuk e keni zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe të përsosur”, këtë problem kaq të koklavitur të kombësive. Atëherë duhet të dilet me konkluzionin se nga popujt që përbëjnë Jugosllavinë duhet të bëhen përpjekje që këto probleme të përsosen. Pra, u përket popujve të Jugosllavisë që t’i zgjidhin e t’i përsosin këto demokratikisht, brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Konkretisht: popullsia dërrmuese shqiptare që jeton në Kosovë dhe në republika të tjera të Jugosllavisë, kërkon brenda normave, por edhe në rrugë, që krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Republikës Socialiste të Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, ashtu siç e cilësuan udhëheqja e Federatës Socialiste të Jugosllavisë dhe disa udhëheqës kryesorë të krahinës së Kosovës? Ne gjykojmë se ajo s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, konstatojmë se këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan.

Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishte, brenda ligjeve dhe kushtetutës jugosllave, krahina ku ai banon. Persona të tjerë kanë vendosur për këtë dhe, pas shumë kërkesave paqësore, kur ai kërkoi me zë të lartë që të dëgjonin popujt vëllezër të Jugosllavisë se Kosova kërkonte statusin e një republike brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ata që bënin veshin e shurdhër, s’ngurruan të sulmonin me tanke dhe të qëllonin mbi shqiptarët. Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shqiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Një thënie e tillë e shtypit jugosllav vërteton qartë të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ajo, po ashtu, të lë të kuptosh se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t’i kishte grirë me mitraloza. Këto nuk harrohen kollaj dhe nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por hutimin. Duhen gjykuar çështjet me objektivitet dhe me drejtësi dhe jo të arrihet derisa të shtyhen gjithë popujt e Jugosllavisë, me të gjitha udhëheqjet e çdo rangu në krye, të sulmojnë, të shajnë, të rrahin, të vrasin, të gjymtojnë dhe të burgosin lulen më të bukur dhe trime, rininë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Nuk është as në nderin dhe as në interesin e Jugosllavisë që të derdhen mbi Kosovë gjysma e policisë serbe dhe e milicisë së Beogradit, të armatosura deri në dhëmbë, të rrethojnë qytetet e Kosovës me tanke, të mbulojnë qiejt me avionë dhe të mbushin aerodromet me parashutistë. Jo, kjo s’duhej të ngjiste. Ne e dënojmë rëndë këtë dhunë të pashembullt në Kosovë. Shkaktarët e vërtetë të situatave duhet të gjenden, por këta nuk janë në Kosovë, as në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, siç nuk mungohet të bëhen aluzione dhe nënkuptime. Ata duhet të kërkohen e të gjenden më thellë, më lart, në arsyet subjektive dhe objektive. Të kërkosh të frikësosh një popull me epitete monstruoze dhe me tanke, siç po veprohet me shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi, nuk mund t’i arrihet kurrë qëllimit. Me shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe me ata që kanë shkuar në emigracion nga mjerimi dhe papunësia, duhet biseduar shtruar, me qetësi, me arsye e jo me paragjykime të këqija, dhe të kenë të gjitha të drejtat dhe barazi të plota brenda kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Çdo propozim, çdo kërkesë, çdo pretendim i drejtë i shqiptarëve, që jetojnë në Jugosllavi, por që nuk u pëlqejnë dhe u prishin rehatinë udhëheqjes federale dhe asaj krahinore, kualifikohen pa hezitim “armiqësore, shoviniste shqiptare, irredentiste”, etj. Çdo gjë, çdo protestë kundër padrejtësive që u janë bërë dhe po u bëhen shqiptarëve që jetojnë në tokat e veta në Jugosllavi, dhe ato s’janë as të pakta dhe as të vogla, futen në këto kanale -ofenduese. Ç’do të thotë në gojën e jugosllavëve epiteti armiqësor “nacionalistë”? Fjala nacionalist vjen nga fjala nacion, që do të thotë komb, kombësi.

Çdo diksioner, i vogël ose i madh, e shpjegon qartë këtë nocion. Fjalën nacion-nacionalitet, që do të thotë komb-kombësi, jugosllavët e mbajnë në gojë e në letër, të shkruar të zezë mbi të bardhë. Kur një kombi përpiqesh t’ia mohosh kombësinë, sovranitetin dhe të gjitha atributet që rrjedhin prej tyre, atëherë fjalët që lëshon janë vetëm demagogji dhe shkaktojnë e krijojnë fërkime që mund të çojnë edhe në konfrontime të padëshirueshme e të rrezikshme. Në qoftë se një populli përpiqesh t’ia shtypësh dhe t’ia zhdukësh traditat dhe aspiratat nacionale, atëherë do të hasësh patjetër në një reaksion vetëmbrojtës. Vetëm marksizëm-leninizmi dhe socializmi shkencor, sipas teorisë së Marksit, Leninit dhe Stalinit, i zgjidh drejt këto probleme. Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe posaçërisht në Republikën Socialiste të Bosnjë-Hercegovinës e në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, është shkuar deri atje sa të krijohet një “kombësi myslimane”. “Kombësia myslimane”, është një specifikë e Jugosllavisë, por, për në Jugosllavi nuk ka “kombësi kristiane ortodokse” dhe as “kombësi katolike romane”! Për këtë s’duhen shpjegime, ajo shpjegohet lehtë. Është e qartë pse Dobrivoje Vidiçi, kryetar i Republikës Socialiste të Serbisë dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, pasi hodhi vrerin dhe mërinë më të madhe mbi Kosovën, foli “veçanërisht mbi marrëdhëniet e barazisë së plotë në marrjen e vendimeve mbi të gjitha çështjet me rëndësi shoqërore në kuadrin e Republikës Socialiste të Serbisë, në të cilën krahinat socialiste autonome kanë pavarësi të plotë të garantuar dhe të përcaktuar në dokumentet kushtetuese të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Krahinës Socialiste Autonome”. (Autonomi “e plotë” nën tutelë.) Është kuptimplotë se çdo veprim i shqiptarëve të Kosovës, brenda kushtetutës dhe ligjeve të Federatës, por që nuk i vjen pas qejfit udhëheqjes, cilësohet menjëherë “shoviniste shqiptare” dhe, për t’i futur në burgje e në kampe përqendrimi, njerëzit cilësohen fare lehtë si “irredentistë”. Të akuzosh për irredentizëm një popull dhe një komb të tërë, prej më shumë se 2 milionë banorësh, siç është pjesa e kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, duhet të mos kesh qenë e të mos jesh vetë irredentist dhe të kesh zhdukur të gjitha shkaqet dhe burimet e kësaj doktrine, shkaqe që janë pjellë e imperialistëve dhe e feudo-borgjezisë së vjetër ballkanike. Në qoftë se pas Luftës Nacionalçlirimtare është zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve, atëherë pse duhet të ketë irredentizëm? Më parë se të flitet për të ashtuquajturin irredentizëm, duhet të shpjegohet prapambetja ekonomiko-kulturore, inflacioni, papunësia në masë dhe emigracioni i detyruar i shqiptarëve, një nga emigracionet më të mëdha të Jugosllavisë në vendet e huaja. Ky problem i madh nuk zgjidhet drejt dhe nuk shpjegohet vetëm me “krizën botërore”, siç duan ta shpjegojnë disa udhëheqës jugosllavë, gjoja teoricienë të Federatës Socialiste Jugosllave dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Për sa i përket shovinizmit, karakteri i shqiptarit dhe historia e tij në shekuj tregojnë të kundërtën e asaj për të cilën ju akuzoni shqiptarët e Jugosllavisë, pse shqiptari asnjëherë s’ka shtypur dhe s’ka shfrytëzuar asnjë popull.

Kurrë ai nuk ka sulmuar dhe copëtuar tokat e popujve të tjerë. E kundërta ka ngjarë ndaj tyre. Prandaj shovinizmin kërkojeni se do ta gjeni gjetiu dhe jo te shqiptarët e Kosovës dhe as tek ata të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që përbëjnë një popull. Shovinizmin kërkojeni pikërisht tek ata udhëheqës jugosllavë që urdhëruan sulmin me tanke e me policë serbë dhe vranë, gjakosën, torturuan dhe burgosën studentë, punëtorë dhe fshatarë shqiptarë, nipërit dhe mbesat e heronjve të popullit tonë, Isa Boletinit, Bajram Currit, Abdyl dhe Naim Frashërit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit, Azem e Shote Galicës, Çerçiz Topullit e Selam Salarisë, vëllezërve dhe bashkëluftëtarëve të Hajdar Dushit, Hysni Kapos, Miladin Popoviçit, Emin Durakut dhe mijërave partizanë heroikë shqiptarë, malazez dhe maqedonas që luftuan së toku si vëllezër dhe derdhën gjakun e tyre në Jugosllavi për lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen e popujve të Jugosllarisë. Këto akte brutale dhe të përgjakshme përbëjnë shovinizmin më të egër. Mos vallë ju dëshironi që shqiptari të mos jetë patriot? Jo, kjo s’do të ngjasë kurrë! Shqiptari kurdoherë është mbrojtur me heroizëm dhe i ka mundur armiqtë e tij, pse gjithnjë ka qenë në të drejtën e vet. Shqiptari kudo që jeton, punon dhe lufton, tregon kurdoherë pjekuri dhe durim. Historia shekullore e shqiptarëve dhe ajo e kohës së Luftës Nacionalçlirimtare kanë vërtetuar se populli ynë ka derdhur gjakun e bijve dhe bijave të tij për t’u ardhur në ndihmë edhe popujve vëllezër fqinjë. Këtë shpirt të lartë sakrifice dhe internacionaliste ju e quani shoviniste. Gjënë më të vogël që mund të themi, kjo është paturpësi dhe asnjeri të mos harrojë se vërtet populli shqiptar është i durueshëm, por ama kur i shkelen të drejtat dhe kur zemërohet shqiptari, merr zjarr e flakë edhe stralli.

Për këto probleme ne mendojmë se udhëheqja jugosllave duhet të jetë shumë e matur, të tregohet e pjekur, gjakftohtë dhe t’i studiojë e t’i zgjidhë drejt problemet e saj të brendshme dhe jo t’u japë mësime me bollëk të tjerëve «për moderacion, për zgjidhje paqësore, për të drejtat e njeriut dhe të popujve» e të tjera. Ne mendojmë se duhen ulur gjakrat, nga udhëheqësit jugosllavë në radhë të parë, dhe çështjet e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi të studiohen me gjakftohtësi, me urtësi e drejtësi. Po u veprua ndryshe, nuk shërohet plaga, përkundrazi, do të thellohet hendeku. Ne nuk duam të ngjasë kjo dhe jemi gati të ndihmojmë me të gjitha forcat tona të pastra e fisnike, të zemrës dhe të mendjes, për të ruajtur miqësinë me popujt vëllezër të Jugosllavisë, për të ruajtur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë vendosur dhe të ndihmojmë si edhe më parë vëllezërit tanë shqiptarë në çështjet tregtare dhe të shkëmbimeve kulturore, siç i bëjmë edhe me popujt e tjerë të Jugosllavisë, malazez, maqedonas etj., në bazë të marrëveshjeve të vendosura bashkërisht në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Këtë e do interesi i të dy shteteve tona, e do miqësia, fqinjësia e mirë, pa ndërhyrë në asnjë moment në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Në rast se ne shfaqim mendimet tona për çka ngjau në Kosovë, kjo nuk do të thotë se jemi ne shkaktarët apo nxitësit e atyre ngjarjeve që po ndodhin atje. Ne e kemi thënë dhe po e themi se do të interesohemi për vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi, do t’i mbrojmë ata, siç i kemi mbrojtur, kur u bëhen padrejtësi dhe ligësi. Ashtu siç ka të drejtë Jugosllavia dhe çdo shtet tjetër të mbrojë dhe të kërkojë të drejtat për pakicat e veta nacionale, këtë të drejtë e kemi edhe ne. Traktati i Londrës, Traktati i Versajës dhe çdo traktat tjetër imperialist nuk kalon më mbi kurrizin e popullit shqiptar. Këtë ta kenë të qartë të gjithë, miq dhe armiq, shtete të vogla e të mëdha, imperialistë dhe revizionistë, shokë e vëllezër komunistë dhe njerëz përparimtarë, si dhe antikomunistët e pseudosociallstët./Memorie.al

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!