MENU
klinika

Ndikuan tek vartësit

Nesër dalin para gjykatës, ja masa e sigurisë që kërkon prokuroria për tre kontrollorët

09.04.2021 - 16:42

Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë për tre kontrollorët e ndaluar pas bllokimit të aeroportit të Rinasit.

Prokuroria ka kërkuar “arrest shtëpie” për përgjegjësen e turnit, Flora Ndrecën pasi ka fëmijë të vegjël ndërsa për kontrollorin Muhin Mezinit dhe Armando Fezgën, kreun e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka kërkuar “arrest me burg”. Ata pritet që të dalin përpara gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë, për shkak të akuzës që prokuroria ka ngritur; atë të shpërdorimit të detyrës.

Nga deklarimet e tyre, është provuar se të tre ata, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë në punë. Po ashtu, me veprimet e tyre kanë sjellë pasoja duke mbyllur kullën dhe aeroportin. Pasoja kanë sjellë edhe në dëm të udhëtarëve.

Veç këqyrjeve të telefonave, janë referuar dhe dëshmitë e kontrollorëve që tregojnë si u nxitën nga eprorët për deklaratën e paaftësisë së përkohshme.

Nga telefoni i Flora Ndrecës, përgjegjëse turni dalin biseda me një shtetas të quajtur Gersi Spaho ku thuhet: Mua dhe Lolën na pushuan, se kemi dhënë dorëheqjen të gjithë, po shyqyr që u kujtuan të bëhen të gjithë bashkë, e prekën fundin?

Ndërkohë rezulton që shtetasi Muhin Mezini i ka dërguar Olsi Petritit foto të formularit të paaftësisë të plotësuar në emër të tij dhe ky i fundit i ka shkruar se “në 12 jam aty”.

Më pas në datë 6 prill ,Mezini këtë foto ia ka ka dërguar dikujt me emrin Ezi foto të formularit plotësuar në emër të tij, ndërsa Ezi i thotë: E mira është të shkruash më shkurt. Nga biseda kuptohet se Mezini e orienton atë se si të plotësojë formularin, ndërsa rezulton se ai ka ndikuar te një sërë punonjësish që të bëjnë të njëjtën gjë.