Ditën e nesërme (6 prill 2021), Presidentët e institucioneve evropiane do të vënë në dukje kushtet e Bashkimit Europian për t’i hapur rrugë rifillimit gradual të marrëdhënieve ekonomike me Turqinë. Po ashtu pritet të diskutohet edhe për mbështetjen e refugjatëve që kanë shkuar në Turqi.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të udhëtojnë drejtë Ankarasë, për t’u takuar me Presidentin Erdogan dhe për të diskutuar mbi migracionin dhe tregtinë. Mediat greke shkruajnë se këtë fakt e ka konfirmuar përfaqësuesi i një vendi anëtar në Bruksel.
Bisedimet në Ankara do të jenë një moment shumë i rëndësishëm politik, por nuk bëhet fjalë për negociata, sqaron Brukseli.
“Shumë po presin të shohin se çfarë do të thonë Charles Michel dhe Ursula von der Layen në lidhje me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Ata duhet të thonë gjëra, siç bëri Josep Borrell në Moskë. Nuk bëhet fjalë të dukesh i sjellshëm. Do të jetë e vështirë”, analizon diplomati evropian.
“Ne kemi një kornizë për të përmirësuar marrëdhëniet tona, por është e nevojshme që Turqia të moderojë sjelljen e saj. Prandaj, ne mbetemi të kujdesshëm”, shpjegoi Charles Michel në fund të samitit.
BE është e gatshme të fillojë punën e bashkimit doganor, për të rifilluar dialogun e nivelit të lartë që u pezullua në 2019 për çështje të caktuara si siguria, mjedisi, shëndeti dhe për të siguruar disa lehtësime të vizave për qytetarët turq.