MENU
klinika

Pse kandidatët përfunduan në numra

Nga pakti i 5 qershorit te vota e emigrantëve, si po shkohet në votime!

24.04.2021 - 08:53

Një vit më parë, maxhoranca dhe opozita ishin shumë larg përgatitjes së zgjedhjeve të 25 prillit, për shkak se PD-ja dhe LSI-ja kishin dalë nga Parlamenti.

Ishte propozimi i trojkës së ambasadorëve të SHBAsë, BE-së dhe Britanisë së Madhe që uli palët në një tryezë jashtë godinës së Parlamentit për të nënshkruar Marrëveshjen e 5 Qershorit, ku opozita parlamentare pati rol shumë të dobët. Marrëveshja e 5 qershorit shënoi edhe rikthimin institucional të opozitës, ndërsa pritshmëritë për implementimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it të zgjedhjeve të kaluara dështuan në pikën më të fortë, aty ku pritej dhe kthesa.

PD-ja dhe PS-ja nuk arritën të depolizojnë komisionet zgjedhore përsëri nga frika e opozitës se maxhoranca në pushtet do të ushtronte presion ndaj administratës, e cila do të propozohej si pjesë e komisioneve zgjedhore, për të ndikuar në rezultatin zgjedhor. Të gjitha palët pranuan që përbërja e komisioneve zgjedhore të jetë përsëri politike, ku njëra palë ruan palën tjetër në një klimë të thellë mosbesimi. Depolitizimi i plotë i komisioneve zgjedhore, duke filluar që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vendos në marrëveshje që të bëhet për zgjedhjet e vitit 2025. Gjithashtu, palët arritën të bien dakord për herë të parë që në këto zgjedhje të bëhet në të gjitha qendrat e votimit identifikimi biometrik i votuesve, gjë që do të eliminojë votimin më shumë se një herë të një votuesi, një nga problematikat më të mëdha në zgjedhjet e shkuara.

KUSHTETUTA

Por, nëse marrëveshja me 12 pika e 5 Qershorit mes të gjitha palëve do të përcaktonte rregullimet në Kodin e ri Zgjedhor, partia socialiste krijoi një tjetër përplasje me opozitën kur ndërhyri në Kushtetutë për të përcaktuar listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Opozita e cilësoi përjashtimin e koalicioneve parazgjedhore një taktikë të Kryeministrit Rama për të dobësuar fuqinë e saj elektorale. Në këto kushte, Partia Demokratike u detyrua të përfshijë në listën e kandidatëve të saj edhe disa emra të kryetarëve të partive të djathta aleate, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim doli në këto zgjedhje me listën e saj të kandidatëve për deputetë. Listat e hapura ishin një kërkesë e opozitës parlamentare, por në fund rezultuan të ishin lista gjysmë të hapura, për shkak se listën fituese të kandidatëve për deputetë e përcakton kryetari i partisë, ndërsa e konsideruar e hapur lidhet vetëm me faktin se një kandidat poshtë listës fituese mund të bëhet pjesë e saj nëse thyen herësin duke marrë mbi 10 mijë vota. Por i gjithë propozimi i deputetëve të opozitës parlamentare, përfundoi në një listë ku emrat e kandidatëve nuk mund të lexohen, sepse për shkak të hapësirës së madhe që fleta e votimit do të merrte, kandidatët u shndërruan në numra. Pra, në fletën e votimit, zgjedhësi duhet të votojë numrin e partisë dhe numrin e kandidatit të preferuar. Por implementimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit, çoi dhe në ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ku shkelja e ligjit zgjedhor, manipulim i fletëve të votimit, rezultatit apo shitblerja e votës, u cilësuan vepër penale që dënohet me burg.

EMIGRANTËT

Emigrantët shqiptarë që jetojnë kudo jashtë vendit nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në votimet e 25 prillit nga vendi ku jetojnë dhe punojnë. Politika, duke ia lënë në dorë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk plotësoi një aspiratë dhe një premtim të saj i bërë sa herë i jepej rasti se në këto zgjedhje emigrantët tanë do të merrnin pjesë masivisht nga vendi ku jetojnë, pa qenë nevoja që të vijnë në Shqipëri për të votuar. “Ky proces do të duhej të paraprihej nga një proces tjetër që bën të ditur se cilët janë këta qytetarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Në datebazë rezultojnë më pak se 900 qytetarë, për të cilët duhen krijuar mundësitë që të votojnë. Ky është një proces që do kohën dhe nuk ka të bëjë me vullnetin e palëve, ato duhet ta pranojnë zgjidhjen që do të ofrojë KQZ-ja. Duhet konsensus mes palëve sesi do të realizohet teknikisht, nëse ky konsensus nuk zgjidhet në ditët në vijim, votimi i diasporës nuk mund te realizohet. Ndërkohë, diaspora nuk përbëhet nga 900 vetë që janë në datebazë të shtetit, por nga qindra mijëra qytetarë që nuk janë regjistruar për të votuar”, u shpreh kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.