MENU
klinika

Ministria e Brendshme e Malit të Zi ngre alarmin

“Një grup kriminal kërcënon jetën e Zv/kryeministrit Abazoviç”

28.04.2021 - 09:01

Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka njoftuar se sipas burimeve të saj, ka sinjale se anëtarët e grupit kriminal Kavaç po planifikojnë sulm ndaj jetës të Zv/kryeministrit të vendit, Dritan Abazoviç.

“Në këtë rast të veçantë, informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal Kavaç për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar si reagim ndaj privimit të tyre nga liria dhe ndjekja penale, duke rrezikuar jetën e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç”, njoftoi Ministria e Brendshme e Malit të Zi.

Në këtë njoftim, që është bërë publik ditën e hënë thuhet më tej se “duke pasur parasysh rëndësinë e veprimtarive të realizuara më parë, dhe të vetëdijshëm për faktin se anëtarët e grupit të përmendur kriminal janë pjesë e strukturave më të gjera rajonale, me lidhje shumë të forta në nivele të ndryshme, tipari kryesor i të cilave është kryerja e krimeve më të rënda”

Ministria vlerëson se çdo veprimtari që synon rrezikimin e integritetit fizik të zyrtarëve të lartë të shtetit do të destabilizonte situatën shumë komplekse të sigurisë në Mal të Zi.

Ky kërcënim ndaj Zv/kryeministrit Abazoviç vjen pas arrestimit të Slobodan Kashçelan në qytetin bregdetar të Kotorrit, pas së cilit zoti Abazoviç theksoi se ky ishte suksesi më i madh i policisë në 10 vitet e fundit, shkruan VOA.

Kashçelan ishte drejtues i një grupi kriminal dhe që nga viti 2015 është përfshirë në një luftë të përgjakshme me një bandë rivale për kontrollin e kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut. Kashçelan i ka mbijetuar dy atentateve më parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN