MENU
klinika

Nga Edmond Tupja

Patronazhistë apo PatroNAZISTË?

25.04.2021 - 19:15

Një fjalë të re, pra që shfaqet për herë të parë në një gjuhë të dhënë, leksikologët e quajnë “neologjizëm”; e tillë është gjithashtu fjala “patronazhist” që shpërtheu këto ditët e sidomos netët e fundit në xhunglën socialiste të politikës shqiptare brenda kuadrit famëkeq të një qeverie-orkestër me dirigjent Edi Ramën ende kryeministër plot cilësi të pamohueshme tragjikomike, cilësi këto që, detyrimisht, duhet ta lënë pa mend e pa gojë çdo njeri normal nga trutë, i cili nuk pranon të shesë shpirtin për një grusht para apo disa kilogramë ushqime që vijnë erë nevojtore ose, më saktë, erë hale!

Siç vihet re, fjala “patronazhist”, që ende nuk figuron në “Fjalorin e gjuhës shqipe”, vjen nga fjala “patronazh”, të cilën ky fjalor e përkufizon si “mbrojtja, përkrahja dhe kujdesi për dikë”; rrjedhimisht shumëkujt mund dhe duhet t’i ketë lindur pyetja: “Nga kush e nga çfarë na paskan mbrojtur, me përkrahjen dhe kujdesin e tyre amtar e atëror, patronazhistët e patronazhistet e në fjalë?”.

Vetë Edi Rama ende kryeministër, që e cilësoi veten si patronazhisti i gjatë apo më i gjatë, si nuk arriti të na mbronte nga varfëria, nga papunësia, nga shtrenjtimi i jetës, nga pasiguria e saj, nga korrupsioni, nga kriminaliteti, nga kanabizimi kombëtar e narkotrafiqet, nga pasojat e tërmetit e të pandemisë, nga papunësia, nga ndotja dhe dëmtimi i mjedisit, nga dhuna kundër medieve të lira, nga emigrimi i të rinjve dhe i specialistëve më të mirë të vendit?”. Përballë kësaj pyetjeje, duhet të jesh vërtet me koeficient intelektual nën 60 shkallë, pra, të jesh diagnostikuar si debil i nivelit të lehtë, që të besosh se patronazhizmi qenka shpëtimi i shqiptarëve nga të gjitha të këqijat!

Gjithsesi, është e neveritshme t’i shërbesh një partie paturpësisht në pushtet duke shkelur të gjitha normat morale për të vjelë informacion nëpërmjet ndërhyrjes pabesisht në të dhënat personale të qytetarëve, çka përbën një krim rreptësisht të dënueshëm në legjislacionin e çdo vendi të Bashkimit Europian ku ne aspirojmë të përfshihemi sa më shpejt. Dy nga këto krijesa që do ta zhgënjenin, pra dy patronazhiste, kishte hasur në një ëmbëltore para dy tri ditësh ish-kolegu dhe miku im Françesk Armadhi, përherë e më pak simpatizant i Edi Ramës ende kryeministër.

Ç’është e vërteta, ishin dy zonja që tashmë ai i njihte, për të cilat kishte mendim të mirë, aq të edukuar dukeshin, por që kishte kohë pa i takuar. Sapo e kishin dalluar, ato i ishin qasur me një fytyrë ku lexohej një krenari me origjinë gati perverse dhe i kishin treguar secila nga një fletë format A-4 me emra personash të ndjekur nga të dhënat e tyre personale. Kur ai i pyeti se për çfarë bëhej fjalë, ato, me të njëjtin hov gati orgazmik, iu afruan e gati iu ngjitën pas trupit, me buzët e fryra nga një premtim politikisht plot epsh partiak dhe me gojën plot lëng paksa ngjitës si të ishin në kulmin e lumturisë parajsore made in Rama, teksa nga goja u dolën këto fjalë drithëruese: “Ne jemi ashtu… PA-TRO-NA-ZHI-STE…

Si i thonë… kur v… kur vjen e mira hapi pi… pikërisht derën e dritaret! Dhe ne ia hapëm të gjitha dyert e dritaret e shpirtit e të trupit”. Françesk Armadhi, ndonëse i majtë në bindjet e tij politike, ndjeu një si pështjellim në stomak, çka e shtyu t’i pyeste: “Zonja të nderuara, a ju paguajnë mirë për këtë punë?”. Dy zonjat në ekstazë, iu përgjigjën sërish gati njëzëri, duke u skuqur ëmbëlsisht, se ishte nder, lavdi dhe kënaqësi krejt e veçantë për ato ta kryenin pa kurfarë shpërblimi atë detyrë partiake të konceptuar gjenialisht nga vetë Edi Rama.

Françesk Armadhi ua nguli sytë për disa sekonda, mori frymë thellë, dhe lëshoi disa fjalë që patën efektin e një bombe: “Zonja të nderuara, ju nuk jeni patronazhiste, ju jeni patronaziste, por, nëse nuk ju pëlqen kjo fjala e fundit, ngaqë Edi Ramën, ende kryeministër, pra padronin tuaj, shumëkush do ta cilësonte me gjasë si Hitler, Himler apo Gëbels shqiptar, unë ju propozoj ta zëvendësoni fjalën “patronaziste” me fjalën e mrekullueshme “patronabordeliste”, sepse, ndonëse deri para disa çastesh isha akoma simpatizant i ide(h)aleve tuaja mavi, ju betohem se më 25 prill do të votoj djathtas!