MENU
klinika

Ja arsyeja që do të dëmtojë më shumë raportet

Për herë të parë, Biden bisedon me Erdoganin!

24.04.2021 - 08:49

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky është komunikimi i parë i drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy vendeve aleate të NATO-s, raportet e të cilave janë dobësuar shumë.

Telefonata e shumëpritur ndodhi më shumë se tre muaj pas inaugurimit të Bidenit në pozitën e presidentit të SHBA-së, një sinjal se ai nuk do të mbajë kursin e njëjtë ndaj udhëheqësit turk, sikurse paraardhësi i tij, Donald Trump.

Më 24 prill, në Ditën Përkujtimore të masakrës ndaj armenëve, Biden pritet të deklarojë se vrasja dhe dëbimi i armenëve në Perandorinë Osmane më 1915 përbëjnë gjenocid.

Është pothuajse e sigurt se ky veprim do ta zemërojë Ankaranë dhe do të dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve.

Agjencia Reuters, duke u thirrur në burime të saj, raporton se Biden ia ka bërë me dije Erdoganit se e ka në plan të njohë masakrën ndaj armenëve si gjenocid.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk u përmend kjo çështje.

“Presidenti Biden bisedoi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe tregoi interesin e tij për raporte konstruktive bashkëpunimi dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Njoftimi tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen në kuadër të samitit të NATO-s në muajin qershor.

Ndërkaq në një njoftim të presidencës turke thuhet se Erdogan dhe Biden ranë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin.

Administrata amerikane nuk ka konfirmuar planet e njohjes së gjenocidit armen, por Biden ka premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale se ai do të bënte këtë.

Turqia këmbëngul që vrasjet dhe dëbimet e armenëve etnikë në atë që ishte atëherë Perandoria Osmane nuk ishin gjenocid, por një rezultat i konfliktit më të gjerë në Luftën e Parë Botërore.

Pavarësisht presionit turk disa shtete të mëdha, si Franca dhe Gjermania, e kanë njohur si gjenocid, por shumë shtete janë përmbajtur.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, paralajmëroi në një intervistë se planet e Bidenit do të acarojnë marrëdhëniet dypalëshe.

Administrata e Bidenit ka rritur presionin mbi Turqinë edhe në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe një mori çështjesh, përfshirë blerjen e armëve ruse nga ana e Turqisë. Së fundi administrata amerikane ka kritikuar Turqinë për tërheqje nga Konventa e Stambollit që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

Çështja armene dhe Turqia

Turqit osmanë vranë dhe dëbuan rreth 1.5 milion armenë, një pakicë e krishterë në Perandorinë Osmane kryesisht myslimane, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Shumë historianë dhe disa vende, e konsiderojnë këtë masakër si gjenocid.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka kundërshtuar një përcaktim të tillë, duke pretenduar se vdekjet ishin më shumë rezultat i konflikteve civile, sesa nga ndonjë përpjekje e planifikuar e Qeverisë osmane për të asgjësuar armenët.

Turqia gjithashtu pretendon se më pak armenë vdiqën sesa ishte raportuar.

Armenia thotë se vrasja masive është një nga shembujt e parë të gjenocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste kundër më shumë se 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore./Rel

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"...një mik i vërtetë!"

Çfarë pret Greqia nga Biden?

Nuk ka folur ende me Erdoganin...

Biden mban qëndrim të ashpër ndaj Turqisë


Çfarë tha lideri iranian për situatën në Siri

Teherani pretendon se rrëzimi i Assadit u planifikua nga SHBA

Policia bastis zyrën e Presidentit të Koresë së Jugut

Ish-ministri i Mbrojtjes tenton v*tëvrasjen në paraburgim!

Netanyahu dëshmon në gjyqin ndaj tij për korrupsion

Një pikë e ulët në karrierën e udhëheqësit më jetëgjatë të Izraelit

Perëndimi ka bërë sërish një gabim fatal

Një tjetër shtet europian kërcënohet nga “skenari Trump”