Sezoni i katërt i “La Casa de Papel” (Money Heist) u publikua më 3 prill 2020 dhe supozohej që sezoni i pestë të transmetohej nga mesi i vitit 2020, por për shkak të pandemisë, u tha se seriali do të transmetohej në prill 2021. Mirëpo situata e Covid-19 ndërpreu xhirimet dhe natyrshëm seriali u shty.
Nuk ka ende një njoftim zyrtar se kur pritet të transmetohet sezoni i pestë. Sipas LetsOTT Global, një kompani mediatike malajziane, është planifikuar që sezoni #5 të dalë në gusht të këtij vitit. Le të shpresojmë të jetë e vërtetë.
Çfarë ju pret në sezonin e pestë? Krijuesi i “La Casa de Papel”, Alex Pina, është shprehur se sezoni i pestë do të jetë një luftë e egër që do të arrijë kulmin.
Ndërkohë, teksa presin sezonin e pestë, fansat kanë nisur me teoritë e tyre. Gjatë sezonit të pestë, thuhet se do të ndodhë edhe “shpërbërja” e grupit dhe se do të ketë edhe viktima të tjera. Mendohet se do të jetë Rio (i luajtur nga Miguel Herran), i cili mund të mos dalë i gjallë nga banka dhe se do të ketë një rikthim të ish-të dashurit të Tokios.
Në episodin e parë të sezonit të parë, Tokio është në arrati pasi grabitja me të dashurin e saj shkoi keq. Partneri i Tokios u qëllua dhe u vra, duke e lënë atë vetëm. Një video nga sezoni i pestë, sipas Express CO UK, tregon Tokion me një burrë të panjohur që shkon drejt Lisbonës. Shumë fansa besojnë se bëhet fjalë për një rikthim të ish-it të saj në sezonin e pestë.
Ndjekësit e filmit kanë nxjerrë edhe spekulime për një lidhje të mundshme mes martesës: Berlin-Tatiana dhe vjedhjes. Disa prej tyre mendojnë se Berlin (Pedro Alonso) ka qenë i martuar me inspektoren Alicia Sierra (Najwa Nimri) dhe se ajo dhe Tatiana (Diana Gomez), janë në fakt i njëjti person. Kjo për shkak të ngjashmërive fizike:
Teori të tjera, thonë se Tokyo është e vetmja e mbijetuar dhe po e tregon historinë nga burgu, ose pasi ia del të shpëtojë. Ndërsa spekulime të tjera, thonë se Tokyo birëson djalin e Nairobit dhe të gjithë ia dedikojnë asaj vjedhjen.
Por këto janë thjesht teori. Bindëse, por mbeten teori.