Çdokush që ka një interes sado minimal për fushatën për zgjedhjet e 25 prillit, duhet të kuptojë se kandidati i opozitës për Kryeministër, e ka bazuar strategjinë e tij tek qëndrimi sa më larg i tri pikave kyçe. Tek largimi me koshiencë, diktuar nga strategët e huaj elektoralë, nga “Trekëndëshi i mallkuar” që mund ta ndëshkojë PD për të tretën herë radhazi.
Kulmet e “Trekëndëshit të Djallit” këtë radhë për Lulzim Bashën, në mënyrë që të shmangë katastrofën për karrierën e tij politike, janë: Sali Berisha. Ilir Meta, LSI dhe Monika Kryemadhi. Bashkia e Tiranës. Sa më shumë që po i zhduk nga fokusi publik përgjatë fushatës së tij, aq më shumë rritet rreziku që mallkimi i kryetarit të PD sot, të bjerë nesër mbi kokat e shqiptarëve.
Lulzim Basha është shumë e qartë që ia ka dalë të shmangë nga radarët e opinionit publik, praninë përkrah tij në këtë fushatë, të liderit historik të demokratëve. Sali Berisha që nuk mungoi në protestën e Ilir Metës në 2 marsin e vitit të kaluar, nuk mori pjesë ndoshta për herë të parë në këto 30 vjet, në mitingun e hapjes së fushatës elektorale nga ana e Partisë Demokratike më 25 mars në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Por nuk mbaron këtu. Ai nuk ka marë pjesë, në asnjë takim tjetër në funksion të zgjedhjeve, gjatë këtyre dy javëve të tjera. Nuk ka shkuar asnjëherë deri më sot në Kavajë, ku ka edhe zonën e tij elektorale, si pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PD në qarkun e Tiranës. E sëfundi, u tha se iu anullua edhe një emision tek “Opinion” i Fevziut në TV “Klan” ku pritej të dilte javën e ardhshme.
Lulzim Basha ka shmangur nga imazhet e fushatës së tij, edhe Presidentin e Republikës Ilir Meta. Edhe partinë e tij LSI, që është aleatja më e madhe e PD, brenda “Opozitës së Bashkuar”. Edhe kryetaren e saj, Monika Kryemadhi. I shmangu në hapjen e fushatës elektorale. Po i shmang gjatë gjithë kohës së zhvillimit të saj. Është e sigurtë që do ta bëjë këtë deri më 25 prill, kur të mbyllen kutitë e votimit dhe të nisë procesi i numërimit të votave.
Kjo është vetëm maja e Ajsbergut që duket mbi sipërfaqe. Ndërkohë që poshtë në terren, udhëheqësit e fushatave elektorale në 12 qarqet e vendit, strukturat e PD dhe kandidatët e saj për deputetë, po bëjnë gjithçka për të rikthyer sa të mundin nga thesi i madh prej rreth 240 mijë votash që u ikën në zgjedhjet e 2017 drejt LSI. Kjo dëshmon se lufta brenda llojit, është më e madhe për opozitarët tanë, sesa ajo me PS përballë.
Megjithëse personalisht është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PD në qarkun e Tiranës, Lulzim Basha po bën gjithçka për të shmangur, ballafaqimin e tij të sotëm me të shkuarën. Sepse katër vitet e tij në krye të Bashkisë së kryeqytetit, janë një dështim total, pas asnjë bilanc të qenësishëm për ti treguar shqiptarëve, në mënyrë që përmes saj ata të shohin të projektuar ndikimin e tij nësër në jetën e tyre si Kryeministër i Shqipërisë.
E vetmja gjë që po bën skuadra e tij në Tiranë, është që të sulet për të gjetur ndonjë rrugicë ende të pa urbanizuar plotësisht, në perimetrin e periferisë së zonave informale. Ose të zhvillojnë aktivitete në parqet, këndet e lojrave dhe hapësirat e tjera të sistemuara të kryeqytetit, për të thënë se ata, do të bëjnë më shumë… jo se Luli, por se Lali Eri! E vetmja ndjesi që krijojnë pas kësaj, është ajo e fotos së Lulzim Bashës, duke fjetur me gërhima në kolltukun e zyrës së kryebashkiakut të qytetit.
Këto dhe shumë detaje të tjera të njohura a të panjohura, i bëjnë këto tri elemente, thelbësore për arritjen e qëllimeve të Lulzim Bashës në këtë garë. Pas kësaj, besoj se kushdo e ka tashmë edhe më të qartë, se përse ato mungojnë në fushatën e kandidatit të opozitës për Kryeministër.
Fakti që ai nuk është përballur asnjëherë deri më sot gjatë këtyre dy mandateve në opozitës as më Sali Berishën dhe trashëgiminë e tij në të shkuarën, as me Ilir Metën dhe trashëgiminë e tij në të shkuarën dhe as me trashëgiminë e vet në Tiranë, e bëjnë Lulzim Bashën akoma edhe më të pabesueshëm në dy javët e ardhshme deri në të dielën e votimit.
E gjitha çfarë po ndodh dëshmon se ai po i shmanget “Trëkëndëshit të Djallit” për të shpëtuar veten, e për të zhytyr më pas brenda tij, të gjithë ata shqiptarë që do ta votojnë.