MENU
klinika

Nga CNN

Putin paralajmëron Perëndimin: Mos kaloni “vijën e kuqe”…

21.04.2021 - 17:17

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin të mos kalojë një “vijë të kuqe” me Rusinë dhe dënoi atë që ai e quajti një komplot puçist kundër Bjellorusisë.
Paralajmërimi erdhi në fjalimin e tij vjetor të kombit, në mes të tensionit të shtuar me Perëndimin mbi Ukrainën dhe kritikun e burgosur të Putinit Alexei Navalny.

“Përdorimi i sanksioneve të padrejta po kthehet në diçka më të rrezikshme: një përpjekje për grusht shteti në Bjellorusi,” tha ai.

Ai mbështet Presidentin Bjellorus Aleksandër Lukashenko, i cili përballet me kundërshtime të mëdha.

Më 17 Prill autoritetet Bjelloruse njoftuan se kishin prishur një komplot të mbështetur nga SH.B.A. për të vrarë Presidentin Lukashenko. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se kishte arrestuar dy Bjellorusë të dyshuar të përfshirë në komplot.

Pretendimi për grusht shteti u hodh poshtë nga udhëheqësja e opozitës Bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya si një “provokim”.

Ka pasur demonstrata masive në mbështetje të saj që kur Lukashenko kërkoi rizgjedhjen vitin e kaluar, në një votim të dënuar gjerësisht si të manipuluar. Mijëra protestues u rrahën nga policia dhe u ndaluan.

Presidenti Putin tha se Rusia dëshironte marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, por kishte përpjekje të vazhdueshme nga fuqitë perëndimore për të “sulmuar” Rusinë.

“Ne nuk duam të shkaktojmë rrëmujë, por nëse dikush i interpreton qëllimet tona të mira si dobësi reagimi ynë do të jetë asimetrik, i shpejtë dhe i ashpër.”

Ai tha: “Ne do të vendosim vetë në secilin rast se ku është vija e kuqe”.

Tensionet janë rritur mbi Ukrainën, pasi raportet thonë se Rusia ka lëvizur më shumë se 100.000 trupa afër zonave të diskutueshme.

Një pjesë e madhe e kësaj force është në Krime, gadishullin të cilin Rusia aneksoi nga Ukraina në Mars 2014. Një oficer i lartë ukrainas, Gjeneral Serhiy Nayev, vlerësoi që forca totale të ishte 103.200 javën e kaluar.

Rusia mbështet separatistët që mbajnë një pjesë të Ukrainës lindore dhe manovrat e saj kanë nxitur frikën e një ndërhyrje të re ushtarake ruse.

Në fjalën e tij Putin tha se “Perëndimi nuk mendoi për Bjellorusinë ose Ukrainën, kur ngjarjet e Maidan po zhvilloheshin atje”.

Protestat masive në Sheshin Maidan të Kievit çuan që Presidenti pro-Rus Viktor Janukoviç të arratisej në Rusi në Shkurt 2014.

“Organizatorët e çdo provokimi kundër Rusisë do të pendohen për veprimet e tyre si kurrë më parë,” paralajmëroi Putin.

Javën e kaluar qeveria amerikane akuzoi Kremlin për “veprimtari malinje” dhe dëboi 10 diplomatë rusë. Rusia u përgjigj në të njëjtën mënyrë. Shkëmbime të ngjashme armiqësore të diplomatëve ndodhën midis Rusisë dhe Republikës Çeke dhe Polonisë.

Në Vladivostok, Irkutsk dhe qytete të tjera në Rusinë Lindore qindra kanë protestuar në mbështetje të politikanit anti-Putin Alexei Navalny.

Ai është i sëmurë rëndë në grevë urie dhe po kurohet në një spital burgu në Vladimir, rreth 180 km (112 milje) në lindje të Moskës.

Dy ndihmës kryesorë të Navalny që janë tashmë në arrest shtëpiak avokati Lyubov Sobol dhe zëdhënësja Kira Yarmysh u arrestuan nga policia në Moskë. Dhjetëra mbështetës të tjerë të Navalny u arrestuan në të gjithë Rusinë.

Autoritetet thonë se çdo protestë masive pro Navalny është e paligjshme. Policia pritet të bllokojë rrugët përreth Sheshit Manezh në Moskën qendrore, ku mbështetësit e tij planifikojnë të tubohen në 19:00.

Putin dha adresën e tij, drejtpërdrejt në televizion, në sallën e ekspozitës Manezh të Moskës në 12:00 (09:00 GMT), duke iu drejtuar të dy dhomave të parlamentit rus.

Agjencia e lajmeve RIA thotë se të gjithë atyre që morën pjesë iu nënshtruan tre testeve për Covid-19 në ditët e fundit.

Gjysma e parë e fjalës së tij u përqëndrua në betejën e Rusisë me Covid-19 ai vlerësoi solidaritetin shoqëror të miliona njerëzve.

Putin, i cili u kollit disa herë gjatë fjalës së tij, tha “vaksinimi është jetik … nuk ka asnjë mënyrë tjetër”, dhe ai u bëri thirrje të gjithë rusëve të vaksinohen.
“Në vjeshtë, ne duam të kemi arritur imunitet kolektiv,” tha ai.

Ai tha se Rusia ishte në një emergjencë demografike dhe Covid po i përkeqësonte gjërat. “Ne duhet të mbajmë kontroll të ngushtë për të ndaluar përhapjen e virusit.”

Trendi duhet të përmbyset, për të arritur një jetëgjatësi mesatare prej 78 vjetësh në Rusi deri në vitin 2030, tha ai.

Gjatë pandemisë, Putin ka qëndruar kryesisht në një rezidencë pak jashtë Moskës, kështu që kjo është një paraqitje e rrallë në publik.
Përkthyer dhe përshtatur nga cnn/ F.H Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN