Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama ka ironizuar ga Durrësi me kandidatin e PD në Dibër, Xhelal Mziun për deklaratën e tij paralajmëruese pas vrasjes së Elbasanit dhe faljen e tij.
Rama thotë se Mziu është një fytyrë që shekujt e kanë harruar mes shqiptarëve, teksa thotë se falja e tij nuk i duhet as dreqit.
Ai shton se Mziun e nxorën për të kërkuar falje, pasi ata që e urdhëruar kanë ‘’mbushur ato që s’thuhen’’, ndërkohë që shton se opozita s’ka kërkuar ende falje për vrasjen e Elbasani.
‘’Shumë faleminderit të gjithëve, edhe dua që kjo natë të them se sa krenar jam për të gjithë patronazhistët e patronazhistet e Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Jam shumë krenar, sepse këtu në Durrës falë gjithë kësaj qytetarëve, njerëzve të zakonshëm e të buzëqeshur, njerëz paqësorë, punëtorë, të vendosur, më 25 prill ne do t’ju tregojmë nga Durrësi të gjithë shqiptarëve, por edhe atyre që nuk kanë lënë gur pa luajtur për ta penguar rrugën tonë, se Durrësin dhe PS nuk ka forcë që e ndal.
Gjithë ju patë një fytyrë të dalë nga zgafellet e historisë shqiptare, të errët, kush ka mundësi ja ku e ka, një fytyrë që duket sikur shekujt e kanë harruar mes nesh, një fytyrë që është shëmbëlltyra më kuptimplotë, shëmbëlltyra më reale, më e prekshme, më e padiskutueshme e atyre që duan me çdokusht të na kthejnë mbrapa.
Ky traklodit, u tha disa njerëzve që ishin mbledhur, se mjaftonte një telefonatë dhe ky bashkë me grupin e tij do shkonin në vendin nga ku vinte telefonata dhe do bënin atë që bënë në Elbasan.
Pastaj, ky kërkoi falje, falja e këtij nuk i duhet dreqit, jo shqiptarëve. Dhe falja e tij ka një problem shumë të madh, ndërkohë që ky kërkon falje, nga frika pasi ata që e kanë nxjerrë të kërkojë falje i kanë mbushur ato që s’thuhen, nuk kanë kërkuar ende falje për Elbasanin. Kërkojnë falje për një fjalë shumë të rëndë të nxjerrë nga goja e një analfabeti funksional. ‘’- tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama iu drejtua edhe Metës, duke i thënë që tani duhet të rrëmbejë sëpatën e të shkojë t’i presë duart kandidatit të LSI, duke marrë shkasë nga deklaratat e Presidentit se “kush prek votën më 25 prill, do t’i pritet dora”.
“Po sot një deputet i Ilirit u kap duke vjedhur vota. Unë thashë tashi ti Like rrëmbe sëpatë, shko priti duart, mirëpo Likja nuk doli. Jo vetëm nuk doli, por lëshoi një postim “votoni, do jetë ditë feste, mos kini merak, ju vetëm votoni për demokracinë, vëllazërinë”. O Like, Like, ta kisha thënë o lëre rakinë, o do të ta nxjerrin me zor, dhe është më keq kur ta nxjerrin me zor, se kur e lë vetë. Tani mos dil më, rri mirë aty ku je, shumë mirë e the, jam dakord me ty, ditën e diel do të jetë ditë feste, ditën e diel të gjithë këta luanët e dalë nga zgafellat e historisë do të kthehen në lepuj, që të gjithë. Armata jonë e zemrave, mendjeve, qytetarisë, buzëqeshjeve, jo me klithma, britma, ulërima, sfurqe, sëpata, armë, por me zemër.
25 prilli është përplasja e fundit mes atyre që në historinë tonë kanë përfaqësuar një mallkim, që Shqipëria s’bëhet, që shqiptarët të shohin çfarë të kapin aty për aty, sepse këta janë vetëm ai mallkim që njëherë merr pamjen, emrin, zërin e Haxhi Qamilit, njëherë merr pamjet, emrin e zërin e Rrapush Xhaferrit, Sudes, Vehbiut, Saliut, pastaj merr pamjen e Lulit”, tha Rama.
Më tej, kryeministri foli për plehrat në Porto Romano, ku tha se të gjithë e mbajnë mend atë zonë kanceri, ku derrat dukeshin si dinozaur dhe lopët si krokodilë, ndërsa tashmë sipas tij, aty është bërë parku më i madh dhe më i bukur në Ballkan.
“Ju e mbani mend shumë mirë se me ujin ishte historia dembabadem, që kur vija unë këtu dhe shkonim te breshka, e prisnim radhën për ujë. Kujtesa ime e fundit është se çfarë keni hequr ju me plehrat, me atë zonën e kancerit atje në Porto Romano. Kam shkuar e i kam parë edhe vetë, derra që dukeshin si dinozaur, lopë që dukeshin si krokodilë, hanin plehra. Sot, edhe pak javë, aty do të jetë ecoparku më i madh e më i bukur i Ballkanit. Votoni 12, që ekonomia të ecë përpara. Mos ta rrejë mendjen njeri se kur ne flasim për fantazma të së shkuarës, gënjejmë, se ka Zot që i nxori lakuriq komplet, për t’ua kujtuar edhe njëherë shqiptarëve që ky është momenti që të mendoni për ta ndarë historinë në dysh. Votoni 12 dhe lërini ata t’i marrë lumi i historisë. Do t’i shikoni, pasi të përpëliten ca ditë apo ca javë, do të bëhen të gjithë qengja. Kujdes me atë 9, se 9-ta sa të kthesh kurrizin bëhet 6. Nuk është rastësi, janë lidhur gjërat. Nuk është rastësi që Likja është 6, Saliu 9 dhe ne 12. Është moment historik. Thanë sot mos shko në Durrës se ka shi, po ku është shiu. Unë në listë jam i 8, por që ta dini mirë të gjithë, numri im është 12”, shtoi ai.