Teksa është nisur këtë paradite drejt Përmetit, për takimin elektoral të radhës, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me kandidatin e PS në Tropojë, aktorin Petrit Malaj.
Kryeministri e cilëson Malajn një “tropojan 24 karat”, ndërsa gjatë bisedës së publikuar në “Facebook”, Rama e pyet për takimet që ka zhvilluar atje, si dhe për punët e bëra dhe që duhet të vijojnë edhe pas 25 prillit.
Biseda mes Ramës dhe Malajt:
Rama: Petrit si je vëlla, si të kam. C’thotë Tropoja heroike, me Partinë Demokratike.
Petriti: Në fakt po kaloj një situatë të mirë, një kohë goxha të mirë dhe kam përshtypjen se tropojanët kanë rënë aty ku duhet, brenda asfaltit, sic janë këta vetë, njerëz të mirë, punëtorë, besnikë, njerëz të mirë, unë mburrem gjithmonë me to.
Rama: Si po ecën fushata?
Petriti: Mirë, jam përpjekur t’i takoj e të flas në sy me ta. Kam shkelur shumë pjesë të territorit, kam takuar njerëz me halle e borxhe. Shoh që ka shpresë. Unë transmetoj idenë se ne kemi çfarë të bëjmë dhe do bëjmë gjëra të mira këtu.
Rama: Ata e kanë parë çfarë ndryshimi ka ndodhur atje, që kur ne filluam të punojmë dhe falë bashkëpunimit që patëm me kryebashkiakun atje, edhe pse ishte i PD, por u tregua i hapur.
Petriti: E ndjej veten mirë në fakt. Dy faktorë më bëjnë të ndjehem mirë këtu, fakti që jam pjesë e këtij komuniteti dhe që të parët e mi më kanë hapur një terren goxha të pranueshëm.
Rama: O vëlla tani ti je gur i rëndë në vend të vet. Ti mbase je shumë modest për ta thënë vetë, por ti je thjesht dhe vetëm një tropojan i angazhuar për vendin tënd, jo për veten tënde. Ti nuk je në kërkim të një vendi pune.
Petriti: Kjo është e vërtetë. Të them të drejtën investimet janë të prekshme dhe reale këtu. Bashkia ka hapur shumë fronte pune këtu, edhe rrugë.
Rama: Ne duhet të forcojmë edhe dy mesazhe të tjera atje, e para se janë jo vetëm këto të infrastrukturës, por dhe shembuj konkret se çfarë po bëhet me fuqizimin e sipërmarrjes bujqësore atje. Ne do vazhdojmë t’i fuqizojmë. E dyta, ky mandat do të ketë një fokus më të qartë e të fortë në turizmin malor. E ardhmja do të jetë vërtet tërheqëse, por duhet 25 prilli.
Petriti: Është domosdoshmëri, se ky vend është vërtet përrallë.
Rama: Ne kemi bërë një diskutim bashkë, ti ma vure kusht dhe unë s’kam çfarë të bëj, të mbaj peng tani. Thuaju atyre, bëjua të qartë që duhet kjo mbështetje për të vazhduar ne punën, jo për ne personalisht.
Petriti: Më ke dhënë një fjalë që ekziston mundësia dhe të kalosh këtej.
Rama: Po patjetër, ku do shkoj pa kaluar në Tropojë, je në vete ti?
Petriti: Ok, do doja të kaloje vërtet, se e di si të presin këtu.
Rama: Do jemi në Tropojë patjetër.