Ngjarja e 21 prillit që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit, një politikani lokal, së fundmi mbështetës i Partisë Socialiste dhe plagosjen e katër personave të tjerë, ndjehet në dy shkollat me qendra votimi pranë zonës ku ndodhi përplasja me armë, por votuesit ndahen për mënyrën se si ajo ndikon në zgjedhje.
Të pranishëm në numra të mëdhenj si vëzhgues në shkollat “Mahir Domi” dhe “Qemal Haxhihasani”, përfaqësues të dy partive kryesore i dhanë BIRN versione të ndryshme të ngjarjes, ndërsa thanë se ajo nuk i kishte trembur, por i kishte mobilizuar votuesit e të dy krahëve.
Përfaqësues të PD, që pretendojnë se lagja kontrollohet nga personazhe të krimit të organizuar që kanë deformuar votën në zgjedhjet e kaluara, thonë se votuesit bënin me faj Socialistët dhe se ngjarja do u jepte atyre vota.
“Ka ndikuar si nuk ka ndikuar”, tha Gazmiri një i ri që qëndron te dera e Gjimnazit “Mahir Domi” dhe orienton votuesit për qendrën e votimit. Ai megjithatë refuzoi të kishte një konflikt mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në lagje. “Ne jemi çuna lagje e njihemi”, tha ai ndërsa përshëndeti kolegun e tij të Partisë Socialiste.
Ndërkohë një vajzë rreth 25 vjeçe, që u prezantua si vëzhguese e Partisë Socialiste, edhe pse nuk pranoi të jepte emrin, tha se ngjarja i kishte motivuar votuesit në favor të shumicës qeverisëse. “Ata sollën njerëz nga rrethet dhe vranë një njeri këtu”, tha ajo, por shtoi se procesi kishte shkuar mirë deri rreth mesditës.
Ndërkohë në të dy qendrat e votimit pranë vendit të ngjarjes është e dukshme prania e personave të përfshirë në përplasjen e 21 prillit. Mehmet Greca, ndalimi i të cilit nga Strukturat e Mbrojtjes së Votës së PD solli edhe përplasjen e 21 prillit, u pa nga BIRN të ishte i pranishëm në të dy qendrat më shumë se njëherë.
Po ashtu njësoj, grupe të rinjsh u grumbulluan veç e veç në oborrin e shkollës “Qemal Haxhihasani”, ndërsa komunikonin herë pas here me votues që i njihnin. Deri në mesditë palët qëndruan larg njëra tjetrës dhe komisionerët në qendra i thanë BIRN se procesi ishte i paqtë dhe pa probleme. “Identifikimi elektronik na ka lehtësuar shumë punë”, tha kryetari i një Komisioni në Qendrën e Votimit 2318/1 në shkollën “Mahir Domi”.
Ngjashëm komisionerë në qendra votimi të tjera në shkollat “Sulë Domi” dhe “Haxhi Mullisi”, thanë se procesi po ecte shpejt dhe pjesëmarrja krahasimisht me zgjedhjet e kaluara ishte e mirë. Megjithatë radhët nuk munguan sidomos në orët e mëngjesit, kur pati një dyndje votuesish.
Një përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike tha se nuk ishte optimist për pjesëmarrjen në këto qendra. “Është fiktive”, tha ai, ndërsa e shpjegoi se numrat e mëngjesit ishin votues që të nxitur prej rivalëve që ai pretendoi se kishin blerë vota masivisht në lagje dhe që po i monitoronin ato me grupe vëzhguesish të dielën.
Ndërkohë Raxhi Rakipi, nga komuniteti Rom që vëzhgonte zgjedhjet në tre qendra në shkollën “Haxhi Mullisi”, për Community Reporters tha se në mbrëmjen e të shtunës kishte qenë dëshmitarë i blerjes së votës, që sipas tij i shkonin Partisë Demokratike.
“Nuk kisha mundësi të bëja fotografi, por ishin përballë meje”, tha ai, ndërsa shtoi se prej mëngjesit 95 votues nga komuniteti Rom kishin marrë pjesë në zgjedhje në qendrat që kishte monitoruar.
Vrasja e ish-zyrtarit publik, 56 vjeçarit Pjerin Xhuvani, mesditën e 21 prillit 2021 në Elbasan, ishte e dhëna e parë se Elbasani ishte një fushëbeteje e rëndësishme për të përcaktuar fituesin. Në të shkuarën palët politike kanë përdorur këtu makineri elektorale masive për të ndryshuar vullnetin e votuesve, një praktikë kjo që dukshëm favorizohet nga niveli i ulët ekonomik i qarkut dhe sidomos në lagjet periferike si 5 maji. Qarku i Elbasanit është i përbërë nga shtatë bashki dhe ka 349 mijë votues.
Ngjarja e rëndë duket se ndikon humorin e votuesve. Shumë pak, përfshi edhe persona të angazhuar për parti politike si vëzhgues, pranuan të identifikoheshin apo të flisnin edhe për pyetje të thjeshta si mbarëvajtja e procesit.
Engjëlli, 64 vjeç, që tha se ishte vëzhgues për Partinë Socialiste, tregoi se ngjarja nuk kishte ndikuar në frikësim të votuesve, por sipas tij polarizimi dëmtonte vendin. “Nuk është normale kjo”, tha ai duke iu referuar fushatës, e cila sipas tij kishte qenë nga më të këqijat që kishte ndjekur. “Unë kam 30 vjet që merrem me këtë (zgjedhjet)”, thotë ai.
Një vajzë e cila po kryente “Exit Poll” me një badge të “Albanian Post” i tha BIRN se në qendrat e votimit të zonës kishte qenë mjaft e vështirë të mësoje preferencat politike. “Këtu e kam pas problem. Njerëzit nuk flasin”, tha ajo.
Ndërkohë përtej dukjes së qetë edhe për drejtues të prokurorisë së Elbasanit qyteti nuk ishte në ditët më të mira. Zyrtarisht zëvendës drejtuesi i Prokurorisë Alfred Shehu, i tha BIRN se gjatë gjithë fushatës, përtej përplasjes me armë, nga palët ishin depozituar vetëm tre kallëzime dy nga PS dhe një prej PD, por se situata nuk ishte ajo që dukej.
“Situata është e nderë”, tha prokurori, të cilit i janë deleguar të gjitha hetimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, të shtunën.
Ai pranoi se numri i ulët i kallëzimeve nuk reflektonte problemet e fushatës. Ndërkohë BIRN mësoi se opozita që prej fillimit kishte shfaqur zyrtarisht mosbesim ndaj policisë lokale, duke i orientuar denoncimet drejtpërdrejt në prokurori.
Një burim i kësaj të fundit i tha BIRN se të paktën në një rast përfaqësues të PD, pasi kishin denoncuar një përplasje në zyrat e tyre elektorale, ishin tërhequr pasi të gjithë personat që kishin qenë në zyrë kishin pretenduar se “kishin frikë”. Me këtë situatë drejtuesit e fushatës së Partisë Demokratike justifikuan edhe praninë në qytet të Strukturës për Mbrojtjen e Votës, SMV, pjesëtarë të secilës janë nën akuzë për vrasjen e Xhuvanit./BIRN