Ndonëse edhe ky vit përkon me pandeminë globale, nxënësit e klasave të nënta do t’u nënshtrohen provimeve të lirimit, ndryshe nga një vit më parë, kur ato u hoqën nga kalendari i testimeve të detyruara në përfundim të cikleve shkollore.
Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin e radhës me datat e provimeve, të cilat nisin vetëm një ditë pasi maturantët mbyllin sezonin e tyre, që ka më pak provime dhe zgjat vetëm dhjetë ditë. Gjuha shqipe është e para që starton në datën 16, për të vijuar më pas me matematikën në datën 21 qershor dhe mbyllet me gjuhën e huaj në datën 25.
Ky është vetëm sesioni i parë, pasi për ata që rezultojnë mbetës, të vitit shkollor apo edhe në njërin nga provimet finale, do të ketë një sesion të dytë, i cili zakonisht mbahet në fund të muajit gusht. Edhe pse mbyllin një stad më të ulët, siç është cikli i detyruar, rregullat e provimeve të lirimit janë identike me ato të maturës. Madje, edhe kohëzgjatja. Secili prej provimeve nis në orën 10:00 dhe zgjat për dy orë e 30 minuta, pra, deri në 12:30.
Disa ditë përpara sezonit mblidhet grupi i punës, tre mësues dhe një pedagog për të hartuar fondin e pyetjeve, nga i cili përzgjidhen automatikisht tezat finale. Për kategori të caktuara nxënësish, si pakicat kombëtare, nxënësit e shkollave bilingustike apo ata me aftësi të kufizuara, udhëzimi parashtron zgjidhje të veçanta për t’iu krijuar komoditet në përputhje me aftësitë që kanë.
“Nxënësit e pakicave kombëtare zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën ‘gjuhë amtare’. Provimi kombëtar i arsimit bazë në këtë lëndë do të zhvillohet në 11 qershor. Gjuhët e huaja të para, që do të jepen si provim i detyruar janë anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Testi i gjuhës së huaj të parë hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2″, specifikohet në udhëzimin për provimet kombëtare të klasës së nëntë, firmosur në datën 9 prill dhe botuar dje në Fletoren Zyrtare.
KLASAT E PESTA
Përveç provimeve të lirimit, këtë vit rikthehen edhe ato për klasat e pesta që përmbyllin ciklin bazë të arsimit të detyrueshëm. Ai është caktuar të mbahet në datën 21 maj dhe do të futë në sitë jo vetëm dijet e nxënësve, por edhe aftësitë e mësuesve për të ngulitur koncepte e dije. Ndryshe nga provimet e tjera, për këtë të fundit nuk ka nota, por vlerësim me pikë, maksimalja e të cilave shkon në pesëdhjetë. Bëhet fjalë për një test të integruar me pyetjet nga gjuha shqipe, matematika dhe dituria e natyrës, të cilat kanë peshë të ndryshme. Duke qenë se provimi për 11-vjeçarët nuk do të ketë nota, e rrjedhimisht, as penalitete për nxënësit që dalin dobët, drejtuesit e arsimit ripërsëritin çdo vit apelin që nxënësit të ruajnë qetësinë, pasi rezultatet më së shumti do t’i duhen Ministrisë së Arsimit për të parë në nivel qendror arritjet në përfundim të ciklit të fillores.