MENU
klinika

Nuk mjaftuan dy fitore

Shqipëria dhe Kosova bien në renditjen e FIFA-s

02.04.2021 - 09:50

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arritur të sigurojë 2 fitore në 3 ndeshjet e saj të kualifikueseve të Botërorit 2022, një bilanc relativisht i mirë, pavarësisht mënyrës së lojës apo pengut se mund të bëhej diçka më shumë kundër Anglisë.

Por këto suksese, meqë ishin ndaj skuadrave të vogla që renditen në vendet e poshtme të klasifikimit të FIFA-s, nuk kanë ndihmuar kuqezinjtë të bëjnë hapa para, duke vazhduar kësisoj një rënie të lehtë.

Sipas përllogaritjeve, edhe pse Shqipëria ka fituar 2 ndeshje, ajo do të humbasë një pozicion në klasifikimin e FIFA-s që publikohet javën e ardhshme.

Nga vendi i 66-të, tashmë Shqipëria zbret në vendin e 67 në botë dhe duhet të ketë kujdes nga disa skuadra që e ndjekin pas, sidomos ato Europiane që kanë dhuruar surpriza të mëdha në këtë periudhë.

Sa u përket kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin e saj të eliminatoreve, Anglia do të mbetet në vendin e katërt në botë, Polonia do të zbresë nga vendi i 19 në të 21-tin, ndërsa Hungaria do të ngjitet në vendin e 37 nga i 40-i që mbante para këtyre ndeshjeve.

Andorra do të humbasë 5 pozicione, duke shkuar e 157-a në botë, kurse asgjë nuk duket se e lëviz San Marinon nga vendi i 210, si skuadra më e dobët në botë.

Përfaqësuesja e Kosovës, nuk ka evituar as ajo rënien në klasifikim, pavarësisht se regjistroi një fitore në miqësoren ndaj Lituanisë. Në muajin prill ajo do të jetë në vendin e 121-të, duke humbur 4 pozicione në krahasim me renditjen e mëparshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN