MENU
klinika

Padia në Spak

Shqipëria i ka paguar Becchettit mbi 2 milionë euro deri tani

09.04.2021 - 12:19

Deklarata publike e Kryeministrit Edi Rama pak vite më parë kundër biznesmenit Francesco Becchetti se ky i fundit pastronte paratë e mafies italiane ishte një nga tri elementët që Shqipëria u gjobit me 110 milionë euro në arbitrazh.

Por pavarësisht kësaj, kreu i qeverisë Edi Rama edhe dy ditë më parë u tregua i pakursyer ndaj biznesmenit italianë. Pavarësisht vendimit të Arbitrazhit, kreu i qeverisë tha se Bechetti (pa i përmendur emrin) nuk do të marrë asnjë lekë nga Shqipëria, por do të marrë atë që nuk thuhet.

“Një gëzim i neveritshëm e ndërkohë, një përpjekje po kaq e neveritshme për të nxitur e për të motivuar ata, të cilët janë ndjekësit e tyre me sytë dhe me veshët top, por me mendjen tapë nga dokrrat, broçkullat dhe helmi i tyre, duke arritur të shpërndajnë edhe trakte lart e poshtë, natën, nëpër Tiranë, se tani shqiptarët do paguajnë nga xhepi një gjobë 110 milionë. Unë nuk mund t’i them si e qysh, unë mund t’i them vetëm kaq, që ai marifetçiu, bashkë me Ilirin dhe Saliun do marrin atë që nuk thuhet, do marrin atë që nuk hahet, që mbetet por nuk hahet, asgjë tjetër nuk kanë për të marrë nga xhepi i shqiptarëve dhe nga Shqipëria, sepse lufta kundër atij marifetçiu të paskrupullt vazhdon”, tha Kryeministri Rama dy ditë më parë.

Por, gazeta “Panorama.al” ka lexuar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit dhe në fund paraqiten detyrimet që ka paguar Shqipëria që lidhen me proceset gjyqësore. Sipas vendimit, Shqipëria ka paguar mbi dy milionë euro për çështjen Becchetti. Por, edhe skema e përdorur për mbrojtjen e Shqipërisë në arbitrazh është e dyshimtë dhe në konflikt të interesit. Në qershor 2015 Shqipëria është paraqitur në arbitrazh me një studio ligjore të huaj. Kjo praktikë që vendi ynë kontrakton zyra ligjore të specializuara ndodh kur çështja që gjykohet është komplekse. Por, ajo që nuk është normale më pas, është nënkontraktimi i studios ligjore britanike të një studioje ligjore shqiptare ku aksionarë ka pas qenë bashkëshorti i ish-avokates së Shtetit, Alma Hicka. Ndërsa gjatë procesit, ishte shkëputur nga ajo studio ligjore sipas dokumenteve, ndonëse në të vërtetë punojnë bashkë.

PADIA NË SPAK

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso, depozitoi në SPAK një padi penale kundër Kryeministrit Edi Rama, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pas humbjes në gjyqin në Arbitrazh me Françesko Becchettin.

Në një deklaratë për mediat, Ivi Kaso iu drejtua qytetarëve me mesazhin se nuk kanë për të paguar sipas tij për aferat mafioze dhe korruptive. “Shqiptarët nuk kanë për të paguar për aferat mafioze dhe korruptive të Edi Ramës, Engjëll Agaçit apo Erion Veliajt. Do të paguajnë ata vetë me pasuritë e tyre. Këtë do ta bëjë të mundur Partia Demokratike në ditët e para pas votëbesimit të 25 prillit.

Kush ka përgjegjësi për faturën 110 milionë euro, që nga Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Avokatura e Shtetit dhe kushdo qoftë, jo vetëm do të shkojnë para drejtësisë, por do të paguajnë me pasurinë e tyre dëmin 110 milionë euro. Çështja e 110 milionë eurove të humbura në gjyqin me Becchettin për interesin personal të Edi Ramës nuk mund të kalojë vetëm me deklarata politike apo me zemërimin e ligjshëm të qytetarëve”, theksoi Ivi Kaso.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do t’i paguajë 110 mln euro biznesmenit italian

VOA: Shqipëria humbet përfundimisht gjyqin