Ka trokitur java e fundit e fushatës elektorale, për zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, të 25 prillit 2021. Kanë mbetur edhe 7 ditë, nga momenti kur shqiptarët do hedhin votën e tyre, në zgjedhjet e dhjeta të këtij lloji në historinë tonë postkomuniste.
Secila prej tyre, ka patur rëndësinë e vet, për fatet e vendit dhe të qytetarëve të tij. Me të gjitha ulje ngritjet e kësaj periudhe, fakt është se Shqipëria dhe shqiptarët ndodhen sot në pozitat më të mira në histori, por gjithësesi ende shumë larg ëndrrës së tyre. Për të ecur më shpejt drejt saj, këto janë padyshim ndër zgjedhjet më të rëndësishme, të 30 viteve të fundit. Ja përse:
E para, sepse nga standardi i tyre do të varet caktimi i datës për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe miratimi i kornizës negociuese, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ka një vullnet të shprehur publik nga Brukseli zyrtar, se kjo mund të ndodhë brenda qershorit të këtij viti, në periudhën e presidencës portugeze të Këshillit që ka si prioritet çuarjen përpara të dosjes së zgjerimit.
E dyta, nga rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk varet thjeshtë dhe vetëm, se kush do ta qeverisi vendin deri në vitin 2025, Edi Rama apo sfidanti i tij në opozitë Lulzim Basha. Për qytetarët, me e rëndësishme se kjo, është sesi do të menaxhohet në Shqipëri kryesfida më e madhe që ka sot njerëzimi.
Si do të mbahet nën kontroll pandemia, për të minimizuar efektet e saj negative, mbi shëndetin e qytetarëve në radhë të parë? Si do të realizohet plani kombëtar i vaksinimit kundër virusit vrasës covid-19? Si do të adresohen për zgjidhje sa më të shpejta dhe efikase, pasojat që ka krijuar pandemia, në jetën social ekonomike, mbi biznesin, komunitetet, familjet dhe individët?
E treta, nga përcaktimi me votë i mazhorancës së re qeverisëse të vendit, do varet ecuria e projektit të rindërtimit, nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 sidomos në qarqet Durrës- Tiranë- Lezhë. Objektivi i bërë publik është që brenda vitit 2022, të kenë përfunduar rreth 12 000 njësi akomodimi për familjet, banesat e të cilëve u shembën apo u dëmtuan në mënyrë të pariparueshme.
Mazhoranca e Kryeministrit Edi Rama synon fitoren e mandatit të tretë qeverisës radhazi, për ti çuar sa më shpejt deri në fund këto dy kryesfida kyçe, për jetën e qytetarëve dhe ritmet e zhvillimit afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit. Ndërkohë që kandidati i opozitës për Kryeministër, jo vetëm që nuk ka paraqitur deri tani asnjë plan konkret për vaksinimin masiv të popullsisë dhe rindërtimin nga tërmeti, por as nuk i përmend kurrë këto dy çështje në daljet e tij në media dhe nëpër Shqipëri.
E katërta, nga rezultati i këtyre zgjedhjeve përcaktohet nëse do dalin në pension të përhershëm, liderët politikë që kanë 30 vjet që mbajnë peng skenën e madhe kombëtare. Humbja e PD, LSI dhe aleatëve të tyre më minorë, do diktojë në 4 vitet e ardhshme, ndryshimin e elitës drejtuese të opozitës. Vetëm kështu do mund ti hapet rruga, një brezi të ri politikanësh të papërlyer nga mëkatet e së shkuarës dhe me kulturë e vizion të ri, për Shqipërinë e viteve 2030.
Ikja nga skena në radhë të parë e Sali Berishës dhe Ilir Metës, e më pas edhe e liderëve të tjerë të partive pa anëtarë por me kryetarë në listat e kandidatëve për deputetë të PD, do çlironte energji të reja për të sjellë një erë të re, një epokë të re, një stad të ri cilësisht ndryshe në skenën politike. Kjo do ndihmonte edhe PS, që ta çonte deri në fund pa u ndalur procesin e nisur me kohë, për rigjenerimin e brezave të politikanëve në të gjitha nivelet e drejtimit.
Shqipëria e 2025 do të ishte kësisoj një vend që ecën i sigurtë drejt anëtarësimit në BE. I ringritur nga rrënojat e tërmetit. I ripërtërirë nga hiri i pandemisë më të rëndë të 100 viteve të fundit. I rilindur nga projektet e zhvillimit. Një shtet më i drejtë, më modern dhe i qeverisur nga një elitë e re politike.
Vetëm një Shqipëri e tillë, mund ta çojë shumë herë më shpejt përpara ëndrrën e qytetarëve të vet ballkanikë, për të qenë të barabartë me europianët e tjerë. Kanë mbetur edhe 7 ditë për këtë. Nuk janë 7 ditët kur Zoti krijoi Botën. Por janë 7 ditët, kur shqiptarët do të vendosin, se çfarë Shqipërie duan!