MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Sikur ta kishte vrarë bodigardi i Taulantit…

21.04.2021 - 17:43

Fare shkurt dhe qartë: do ishte bërë nami!

Një nga ato name të zeza që di të kurdisë vetëm Doktori i Madh, siç e quan Sali Berishën Presidenti aktual i Shqipërisë. Një nga ato name që di të qajë e të këndojë me vaje vetëm Partia Demokratike.

Një forcë politike, ku vdekja ka qenë dhe mbetet një forcë shtytëse madhore, një ritual i shenjtë dhe një totem i paprekshëm.

E dimë se çfarë dramash kombëtare ka kurdisur rreth vdekjes dhe me vdekjen kjo parti, edhe në ato raste kur rrethanat i kishte kundër e vrasësit ishin të sajët.

Diçka e ngjashme po ndodh edhe sot, kur një anëtar i stafit shoqërues të Gazment Bardhit dyshohet si autori i një ekzekutimi në mes të qytetit të një aktivisti të maxhorancës. Është një nga ato vrasje ku pala e akuzuar e ka të vështirë ta faturojë krismën dhe plumbin në kampin tjetër, e ku për pasojë po përpunohet opinioni publik me rrethanat praprake të ngjarjes. Zarfa me lekë për blerje votash, provokime nga njerëzit e Taulant Ballës, reagim për vetëmbrojtje etjetj.

Kjo është akokatia e vetme e mundshme e atij që ka marrë jetë njerëzish. Është strategjia e tymueseve të atyre që e dinë se të marrësh jetë është faji suprem, përgjegjësia e paapelueshme dhe njolla e pashlyeshme. Cilado që të ketë qenë skena e krimit dhe rrethanat e tij.

Dhe meqë vrasësi nuk ka qenë bodigardi i Taulant Ballës, e as shefi i tij i fushatës, sot Elbasani, Tirana dhe Vlora kanë qetësi. Presidenti hesht “në pritje të informacioneve”, pasi vrapoi nga iftari tre netë më parë drejt Kavajës, ku akuzoi brenda orës Ramën dhe gjithë socialistët për plagosjen brenda degës së PD.

Jo vetëm kaq. Ilir Meta me gjuhën e tij zjarrvënëse, mund të këqyrë sot sesi pas deklaratave të tij me kosa e cfurqe, nëpër qytete po kërcet pushka vetëm pak orë para zgjedhjeve. Ndërkohë që ai vetë, edhe pse e ka pasur mik e bashkëpunëtor Pjerin Xhuvanin, nuk është në gjendje as të ngushëllojë familjen e të ndjerit!

Po ta kishte vrarë bodigardi i Taulantit Pjerinin e ndjerë, sot do kishim grumbullime para PD në Tiranë dhe në Elbasan, Lulzim Basha do anullonte turin elektoral e do dilte me tre oktavë ngritje zëri në të gjitha mediat televizive.

Nëse do ishte bodigardi i Taulantit vrasësi, edhe kryetarët e partive aleate do i hiqnin pluhurin selive, për të bërë konferenca shtypi urgjente, edhe deputetët opozitarë të Elbasanit do bënin roje të koka e të plagosurve në spitalin e qytetit, edhe shoqëria civile me nuanca blu do brengosej para kamerave, ndërkohë që gjithologët e mediave opozitare do pikonin trishtueshëm nëpër studio, në kujtim të “Pjerinit të shkretë” që e vrau dora e zezë e shtetit.

Nëse vrasësi do të ishte bodigardi i Taulantit sot Sali Berisha dhe Ilir Meta do ta shpallnin ditë zije në të gjithë Ballkanin Perëndimor, kurse Presidenca do hapte dhomën funebër e librin e mesazheve për këtë dëshmor të 25 prillit.

Fatmirësisht qeveria nuk vrau sot një njeri. Dhe kur shteti nuk vret, gjithmonë ka vend për të marrë frymë pak më lirisht.

Fatkeqësisht sot u vra një njeri, të cilin pala e dyshuar si ekzekutore, po e akuzon si trafikant votash. Këtu mbaron e gjithë fabula. Ose më saktë farsa.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Listat reflektojnë problematikat dhe dimensionet e dy krerëve të karvanit“

Minxhozi: Rama është munduar t’i ‘fshehë’ figurat që mund të jenë të konsumuar


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin