MENU
klinika

Meta reagon pas gjobës 110 mln euro ndaj Becchettit

“SPAK të nisë hetimet për këtë kapriço të Ramës”

02.04.2021 - 19:41

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se për tekat e kryeministrit Edi Rama, Shqipëria duhet të paguaj 110 milionë euro për biznesmenin italian.

Sipas tij, skandali merr përmasa edhe më të mëdha pasi Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës, duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Presidenti thotë se është koha që drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik

Reagimi i plotë:

E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do t’i paguajë 110 mln euro biznesmenit italian

VOA: Shqipëria humbet përfundimisht gjyqin