MENU
klinika

Tenis

Turneu i Miamit, eliminohen dy pretendentët kryesorë

01.04.2021 - 12:51

Dy pretendentët për femra e meshkuj për fitimin e turnet të Miamit janë eliminuar. Naomi Osaka shpërdoroi mundësinë, teksa u mund nga tenistja greke Maria Sakkari, në fazën çerekfinale.

Tenistja japoneze kishte mundësi vërtet shumë të mira për të rimarrë kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm botëror ndaj australianes Ashleigh Barty, por 23-vjecarja pësoi një humbje nga tenistja që pozicionohet në vendin e 25.

Osaka u mposht 2-0. Tenistja greke nuk i dha asnjë mundësi në setin e parë, pasi e mori 6-0, ndërsa të dytin e fitoi 6-4, duke kaluar kështu në fazën gjysmëfinale. Tenistja helene tani do të masë forcat me kanadezen Bianca Vanessa Andreescu, që renditet e nënta në glob.

Edhe te meshkujt Master i Miami-t prodhoi surpriza të mëdha. Finalisti i Australian Open, Daniil Medvedev, u eliminua krejt papritur. 25-vjecari moskovit që pozicionohet i dyti në botë, u mund në vetëm dy sete, 6-4, 6-2, në diçka më tepër se një orë e gjysmë nga numri 12 në planet, spanjolli Roberto Bautista-Agut.

Fitorja e tretë në po kaq përballje me rusin Medvedev për 32-vjecarin iberik, që në fazën gjysmëfinale do të ndeshet me numrin 31, 19-vjecarin italian Jannik Sinner, i cili nga ana e tij mposhti gjithashtu në vetëm dy sete 7-6, 6-4 numrin 44 në botë, 23-vjecarin shtatlartë rus Alexander Bublik, që përfaqëson në të vërtetë Kazakistanin.