MENU
klinika

Rrezikojnë 4 shtete

UEFA: Pa tifozë u hiqet e drejta e Euro 2020

09.04.2021 - 20:08

UEFA ka lëshuar një ultimatum për të paktën katër vende që për 10 ditë duhet të japin përgjigje nëse do të garantojnë praninë e tifozëve në stadiume, ndryshe do t’u hiqet mundësia të organizimit të ndeshjeve aty.

UEFA është e vendosur që të zhvillojë Europianin me praninë e tifozëve dhe prej kohësh kërcënon vendet organizatore që nëse nuk garantojnë praninë minimale në stadiume, do t’u heqë të drejtën e organizimit.

Një situatë e cila tashmë rrezikon seriozisht që të shkurtojë në 8 vendet ku do të zhvillohet aktiviteti, në vend të 12, me shtete të rëndësishme që nuk janë gati të plotësojnë kokëfortësinë e Çeferin para interesit publik.

Në një komunikatë zyrtare, UEFA ka bërë të ditur se tashmë ka 8 vende që kanë garantuar praninë nga 25% në 100% të tifozëve në shkallët e stadiumeve edhe pse do të ketë masa të rrepta për koronavirus sa u përket udhëtimeve drejt këtyre vendeve, ashtu edhe pranisë në stadium.

Rusia dhe Hungaria kanë garantuar të paktën 50% të stadiumeve të mbushura, me mundësinë që të zhvillojnë ndeshjet në impiante plotësisht të mbushura. Azerbajxhani bëri të ditur se në Baku muhd të jenë 50% e tifozëve në stadiume.

Ndërsa Holanda, Rumania, Danimarka dhe Skocia kanë garantuar një prani prej 25%-33% të tifozëve, me mundësi rritje në varësi të evolucionit të pandemisë.

Anglia ndërkohë mendon se mund të ketë minimalisht 25% të pranishëm në ndeshjet e grupeve e shumë më tepër duke shkuar drejt finales që zhvillohet në Londër.

UEFA nuk ka marrë asnjë garanci nga Gjermania, Italia, Spanja dhe Irlanda, me të katër vendet që kanë 10 ditë kohë për të kthyer një përgjigje ose të rrezikojnë që t’u hiqet e drejta e organizimit, me ndeshjet e planifikuara në vendet e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rekordi mund të thyhet nga Hansi Flick

Trajnerët që fituan më shumë në 50 ndeshjet e para