MENU
klinika

UNESCO

Vallja e Tropojës e Xhubleta zyrtarisht garues

01.04.2021 - 15:30

        Si paravalle unike që shpreh shpirtin tropojan, dinamika e saj nuk zbehet asnjëherë. Megjithëkëtë, për syrin e stërvitur të koreografit ajo nuk është bash valle, sepse është pa radhë. “Kcimi” tropojan është njëra nga katër “dukuritë” që shteti shqiptar i ka listuar si vlera në rrezik e që duhet të bëhen pjesë e panteonit të thesarit botëror në UNESCO.

Bashkë me “Kcimin e Tropojës”, formulari është nënshkruar edhe për artin e mjeshtërisë së xhubletës.

Është një kërcim që përçon simbolikë në çdo lëvizje: nën tamtamet e tupanit, çifte gocash shamikuqe e djemsh plisbardhë formojnë qerthuj që pasohen nga qerthuj të tjerë.

Është një kërcim i koreografuar asisoj ku çdo lëvizje shpreh shpirtin tropojan të Malësisë së Gjakovës.

Me këtë kërcim unik – që sipas njohësve cilësohet si paravalle – Shqipëria synon të kandidojë në UNESCO me një tjetër vlerë shqiptare për thesarin e kulturës shpirtërore të botës.

Një hap në këtë drejtim është hedhur të martën me rastin e nënshkrimit të formularit të kandidimit të dukurisë së “Kcimit të Tropojës” për listën përfaqësuese të dukurive të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit (Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity) për në listën e dukurive në rrezik.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një shkrimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

“Një moment i rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë”, ka shkruar Margariti teksa ka falënderuar komunitetet lokale që propozuan dhe këmbëngulën për ta çuar përpara këtë nismë.

Bashkë me “Kcimin e Tropojës”, formulari është nënshkruar edhe për artin e xhubletës.

Në fakt, “Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës” kishte nisur rrugëtimin për në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) verën e kaluar. Ai ishte një nga katër “dukuritë” për të cilat Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i dha dritën e gjelbër, për t’u bërë pjesë e pasurisë shpirtërore nën mbrojtje nga shteti.

Të tjerat vlera ishin edhe “Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe art artizanal unikal dhe format e përdorimit të saj”, si dhe “Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përzgjidhen vallet e zakonet

Folklori shqiptar kandidon në UNESCO


Një krijim mbi Historinë, Stilistin dhe Mjeshtërinë artizanale

“Ti, Xhubleta e Re!”

Së shpejti shfaqje të reja

Hapet Teatri i Kukullave