Deri më sot nuk ka asnjë rast të fataliteteve që lidhen me vaksinën dhe procesin e vaksinimit ndaj COVID-19. Është ky konkluzioni i Komitetit të ekspertëve për vlerësimin e efekteve të padëshiruara pasvaksinore i përbërë nga farmakologë, imunologë, infeksionistë, alergologë, specialistë të shëndetit publik, i kryesuar nga prof. dr. Gjeorgjina Kuli/Lito, i cili shqyrton periodikisht efektet e vaksinave anti-Covid.
Sipas vendimit të komitetit të ekspertëve për vlerësimin e efekteve të padëshiruara pasvaksinore për 2 rastet e fatalitetit të pacientëve të cilëve u ishte aplikuar vaksina, nuk ka lidhje shkak-pasojë me aplikimin e vaksinës.
“Bëjmë me dije se deri më sot nuk ka asnjë rast të fataliteteve që lidhen me vaksinën dhe procesin e vaksinimit ndaj COVID-19. Sipas vendimit të Komitetit të Ekspertëve për vlerësimin e efekteve të padëshiruara pasvaksinore për 2 rastet e fatalitetit të pacientëve të cilëve u ishte aplikuar vaksina, nuk ka lidhje shkak-pasojë me aplikimin e vaksinës. Nuk ka asnjë të dhënë bindëse, apo argument shkencor, konfirmues që të vërtetojë apo demonstrojë një lidhje shkakësore midis procesit të vaksinimit ndaj COVID-19 dhe ngjarjeve fatale të raportuara”, thuhet në reagimin e komitetit të ekspertëve, i cili shton se do të ketë nën vëzhgim të gjithë raportimet e lidhura me ngjarje apo efekte të padëshiruara pasvaksinore, në mënyrë që të sigurojë një proces sa më të sigurt dhe efikas.
Hetimin për dy rastet e vdekjeve pas vaksinimit në Tiranë e Berat, mjeku epidemiolog Erion Dasho e cilëson të përciptë dhe të papërgjegjshëm.
Sipas tij, komiteti i ekspertëve e ka humbur me kohë besueshmërinë, pasi vaksinat nuk kanë vulën nga rregullatorët europianë apo amerikanë të barnave.
“Është bërë publik një person me hipertension të kontrolluar që humbet jetën pas vaksinimit. Nuk ka nevojë për t’u mediatizuar, por ka nevojë për një hetim, por për të mbrojtur qytetarët e tjerë nga situata të ngjashme nëse verifikohet lidhja mes vaksinës dhe humbjes së jetës. Shembullin e dha EMA kur u ngritën dyshimet për ‘AstraZeneca’, pezulloi për ditë të tëra vaksinimin, hetuan deri në fund dhe u deshën disa ditë për të analizuar rastet. Shqipëria e ka treguar veten të paaftë, por të paktën të kishin pasur konsensusin të hetonin 2- 3 ditë, të bënin sikur hetonin. Është papërgjegjshmëri totale të dalësh pas disa orësh në përfundim”, sqaron Dasho.
Fakti që Shqipëria ndryshoi qëndrim për vaksinën ruse e kineze, që merren përmes një ndërmjetësi dhe deklarata e pabesueshme në media, për epidemiologun janë kambanë alarmi dhe është detyrim për qeverinë që të pezullojë për disa ditë vaksinimin me vaksinën kineze.
Dasho e konsideron një vendim politik marrjen e vaksinave nga Kryeministri në funksion të fushatës elektorale, pasi sipas tij, këto aprovohen nga teknicienë dhe në Shqipëri, thotë ai, i kemi kapacitetet.