Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim dhe ambasadori BE Luigi Soreca inspektuan procesin e votimit në Durrës. Yuri Kim tha se jemi të frymëzuar që kemi pjesëmarrje të lartë në votime, dhe sipas saj kjo tregon se shqiptarëve ju intereson vendi i tyre.
“Jemi shumë të kënaqur që jemi në Durrës. Jemi të frymëzuar që kemi parë një pjesëmarrje të lartë në votime. Kjo tregon që qytetarëve shqiptarë u intereson vendi i tyre. E di që janë raportuar disa incidente, dhe është përgjegjësia e autoriteteve për të vazhduar hetimet. U kemi bërë thirrje prokurorëve që ti hetojnë këto çështje deri në fund. Qytetarët janë duke përmbushur detyrën e tyre, autoritetet janë duke përmbushur detyrën e tyre. Tani ka ardhur koha që kandidatët dhe drejtuesit politikë të presin për rezultatet dhe të presin gjykimin e popullit”, tha Yuri Kim.
Ndërkaq ambasadori i BE Soreca ishte në një linjë me Yuri Kim, ndërsa u kërkoi liderëve politikë të kenë durim për të pritur rezultatet dhe që ti respektojnë ato.
“Komentet që kemi marrë sot kanë qenë të qarta që Shqipëria po shpreh vullnetin e saj për të votuar. Votimi ka ecur kryesisht mirë, pa probleme, pavarësisht disa incidenteve që do të hetohen. Ka ende tre orë kohë ndaj thirrja jonë është për qytetarët që nuk kanë votuar ende. E di që koha është shumë e mirë, por duhet të dilni dhe të votoni. Për udhëheqësit kini durim që të shihni rezultatin dhe respektojeni atë”, tha Soreca.