MENU
klinika

Analizë nga Andi Bushati

A e shiti Basha Berishën te amerikanët?!

21.05.2021 - 11:24

Nëse gjithmonë ka ekzistuar një bestydni se Sali Berisha e kontrollonte dhe e përdorte partinë që themeloi dhe drejtoi si një mburojë për fatin e tij personal, pas vendimit të fundit të departamentit të shtetit po rezulton krejt e kundërta.

Ndërsa ish kryeministri ka vendosur të mbrohet personalisht dhe të ndërmarrë një betejë ligjore kundër shpalljes non grata nga ShBA, duket sikur PD është e hallakatur, pa busull dhe pa vendosmëri për qëndrimin që duhet të marrë.

Po të shikosh deklaratën publike të Lulzim Bashës edhe ato të ndonjë zëri të mekur që ka guxuar ta marrë fjalën, të gjithë janë shprehur për kontributet e mëdha të Berishës në forcimin e aleancës shqiptaro-amerikane, por duke iu shmangur njëkohësisht thelbit të çështjes: akuzave ndaj tij si minues i demokracisë dhe përfitues korruptiv i parave të shtetit.

Pra, në thelb, ata bëjnë sikur e mbrojnë ish shefin nga një gjë për të cilën ai nuk akuzohet, dhe e lënë krejt zbuluar ndaj thelbit të shigjetave të rënda që kanë rënë mbi të.

Në fakt, partia më e madhe e opozitës ndodhet në një moment kruçial. Duke ditur rolin e madh që ka pasur Berisha, që e shndërruan PD-në në një ilustrim perfekt të vargjeve të Majakovskit për Leninin, sulmi ndaj liderit historik, konsiderohet edhe si një sulm ndaj trashigimisë 30 vjeçare të PD.

Nëse ish presidenti dhe ish-kryeministri ka qenë minues i demokracisë dhe hajn, i tillë i bie të ketë qene edhe sundimi i demokratëve mbi Shqipërinë. Në këto kushte, para PD-së shtrohen tre rrugë.

Ajo më e dhimbshmja, e pranimit si të vërteta të akuzave të Sekretarit Blinken, e cila çon në një divorc përfundimtar me Berishën dhe trashëgiminë e tij.

E dyta, më me risk, është ajo e një krisje me administratën amerikane, duke pretenduar se akuzat janë të pabaza, politike dhe me synimin që të lehtësojnë instalimit të regjimit në Shqipëri. Nëse me mbështetjen e hipotezës së parë, PD-ja do rrezikonte të ftohte apo largonte bërthamën më solide të militantëve të saj, me të dytën, ajo mund të thithte mbi vete akuzat për anti-amerikanizëm, që rëndom propaganda e të gjitha pushteteve i lëshon si mallkime mbi opozitat në vend.

Mes këtyre dy zgjedhjeve logjike, të forta dhe me rrisk, Lulzim Basha dhe PD e modeluar prej tij, ka zgjedhur versionin më të papërshtatshëm, atë për të qenë, as mish, as peshk. Pra të vihet në rolin e idiotit që bën sikur nuk kupton, duke qenë njëkohësisht edhe me Berishën edhe me sekretarin Blinken.

Kjo lloj qasje burracake nuk i shërben, në radhë të parë, vetë ish liderit të PD-së, i cili me sa duket e ka kuptuar këtë dhe ka preferuar të marrë mbi supe mbrojtjen juridike personale, duke mos e llogaritur atë politike të selisë blu.

Por, mbi të gjitha, ky qëndrim pa qëndrim, vë në pikëpyetje vërtetësinë, parimësinë, dhe fibrën e guximit të partisë më të madhe të opozitës për të shërbyer si mburojë e shqiptarëve ndaj kanosjes nga regjimi që sapo është instaluar përfundimisht.

Dhe ky mëkat, kjo mungesë, kjo shterpësi është ku e ku më e madhe sesa fati personal i Berishës, për të cilin shumëkush mendon se nuk duhej të qe më i mirë. Duke u sjellë amorfe, rrethanore, pa shtyllë kurrizore dhe e pa aftë për qëndrime të forta, PD po bëhet gjithnjë e më e tejdukshme. Ajo po merr trajtat e një organizate pa vlerë, që jo vetëm nuk është në gjendje të mbrojë atin e saj, por as ta luaj këtë rol, për qindra mijra shqiptarë, qofshin ata kundër apo pro trashëgimisë së tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Berisha peshku i madh?/ Yuri Kim komenton vendimin e DASH

“Shqipëria po ndryshon! Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë”