MENU
klinika

Dosjet e SPAK/ “Nuk është kollaj, u përkasin njerëzve të krimit”

Arben Kraja tregon çfarë ndodh me kërkesat për sekuestro të pasurive

29.05.2021 - 08:38

Kreu i SPAK, Arben Kraja, paraqiti dje raportin e vitit 2020 para Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Kraja deklaroi se në total janë dorëzuar 117 kërkesa për sekuestro të 657 pasurive të paluajtshme dhe bizneseve. Gjithashtu tha se ka pasur edhe 62 kërkesa për konfiskim dhe janë dhënë 27 vendime, vetëm 2 nuk janë pranuar.

Teksa bëri një përshkrim të infrastrukturës dhe punës së SPAK për vitin që lamë pas, Arben Kraja tha se prioritet është ngritja e një laboratori kriminalistik për ekspertizën dixhitale.

“Gjatë 2020-ës kemi pasur mundësi për të marrë edhe personel administrativ. Ka qenë një sfidë e vërtetë, sepse jemi detyruar të punojmë në kushte jo normale. Kemi marrë buxhetin e miratuar paraprakisht. Buxheti ka qenë i mjaftueshëm, rikonstruksioni i godinës ishte planifikuar me fonde dhe ishte realizuar nga qeveria. Blerja e pajisjes së përgjimit ishte realizuar prej tyre. Kemi pasur probleme për realizimin e fondit të pagave. Nuk kishim numrin e nevojshëm të prokurorëve, nuk kishim Byronë e Hetimit. Gjatë 2020-ës kemi përgatitur projektbuxhetin për vitin 2021”, u shpreh Kraja.

Ai shtoi se u përgatit dhoma e serverit, salla për vendndodhjen e operatorëve, deri në fund të vitit 2020. Nga tetori i 2020-ës u realizua ardhja e pajisjes, pajisja sot është efektive dhe në punë.

“Ligji na jep mundësinë të kemi strukturën tonë të inspektimit. Vendosim si prioritet ngritjen e një laboratori kriminalistik për ekspertizën dixhitale. Kemi punuar në drejtim të krijimit të hapësirës për mobilimit, përzgjedhjes së stafit dhe fondit për blerjen. Kemi marrë dy nga ekspertët më të mirë në Republikën e Shqipërisë, jemi në fazat e fundit të marrjes së programeve. Për të ngritur laboratorin kemi marrë një fond pranë komitetit të Ministrisë së Brendshme. Besoj që brenda muajit të ardhshëm do jetë efektiv dhe do të bëjë ekspertizë të të gjitha pajisjeve dixhitale”, tha Kraja.

BAZA E TE DHENAVE

Kreu i SPAK u ndal edhe tek aksesi në bazën e të dhënave.

“Ligji i jep mundësinë Prokurorisë të ketë akses. Nuk realizohet brenda ditës, kërkon përgatitje. Kemi arritur të bëjmë lidhjen e institucionit me fibra optike, që duhet për këtë akses. Aktualisht kemi të dhënat e gjendjes civile, gjyqësore, Kadastrën, do të marrim akses në bazën e të dhënave të Policisë dhe po punojmë të marrim akses në sistemin e Europolit”, u shpreh Arben Kraja.

Duke folur mbi procedurën e emërimit të drejtorit dhe hetuesve të BKH-së, kreu i SPAK deklaroi:

“Procedura për drejtorin ka filluar në janar dhe ka përfunduar në korrik 2020. Për përzgjedhjen e drejtorit është ngritur një komision i përzgjedhjes, i cili ka ndjekur të gjithë procedurën. Në fund doli me një produkt dhe u emërua drejtori i BKH-së”.

OPERACIONET

“Prokuroria e Posaçme ka qenë e përfshirë në disa operacione të tjera, ku përfshihen sekuestrimet e pronave, hetimet për pastrimet e parave. Kemi arritur të çojmë 7 persona në gjyq vitin e kaluar dhe kemi dërguar edhe një rast të suksesshëm ku persona të tjerë dënohen për pastrim parash. Kemi marrë dhe vendim konfiskimi ditët e fundit. Kemi dhe kontribute konkrete. Kemi kontribuar për hapjen e negociatave, me një rast, me kryenegociatorin kam marrë pjesë në një delegacion në Gjermani për sfidat që kemi.

Ne nuk kemi punuar vetëm me dosjet e krimeve të rënda, por kemi hapur edhe dosje të reja. Sa u përket sekuestrimeve, ligji parashikon procedurën nga bllokimi, në sekuestrim, e konfiskim, qoftë ligji antimafia dhe akti normativ. Është një agjenci që merret me administrimin e këtyre pasurive.

Pasuritë janë nga më të ndryshmet, ka një komitet që tregon çdo të bëhen me paratë që sekuestrohen. Ky komitet vendosi që një pjesë, 30 për qind, t’i jepet Prokurorisë dhe 70 për qind Policisë. Janë të personave të botës së krimit, nuk është kollaj t’i nxjerrësh në shitje apo të marrësh të ardhura prej tyre”, tha Kraja.