MENU
klinika

Nga Carlo Bollino

Ato 9 dosje te KAS, janë përpjekja e fundit për të shpëtuar Lulzim Bashën

10.05.2021 - 15:17

Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Partia Demokratike dorëzoi pranë KQZ-së një seri rekursesh për të tentuar të vërë në diskutim vlefshmërinë e fitores zgjedhore të Partisë Socialiste, e cila i dha Edi Ramës të drejtën për ta udhehequr në mandatin e tij të tretë. Pa u shqetësuar të bëhet qesharak, Lulzim Basha kërkoi anulimin dhe përsëritjen e votimeve vetëm në 9 qarqe në të cilat humbi, ndërsa konsideron korrekte dhe të vlefshme rezultatet në vetëm 3 qarqe në të cilat fitoi, edhe pse shumë akuza dhe pretendime të PD-së i përkasin edhe këtyre 3 qarqeve, si për shembull modifikimi i sistemit zgjedhor, formati i fletëvotimit, përdorimi i patronazhistëve, etj. etj. Deri këtu është logjika e zakonshme fëmijënore e një partie që konsideron të vlefshme vetëm zgjedhjet që fiton.

Por çfarë ka brenda 9 dosjeve që PD transportoi me furgonin që u shfaq para telekamerave, pikërisht për të treguar punën e madhe “investiguese” të kryer? Edhe këtu nuk ka asnjë surprizë. Pasi lexuam disa nga dosjet, edhe pa qenë juristë, dhe natyrisht në pritje të vendimit të autoriteteve zgjedhore, mund të parathemi me një masë të mirë sigurie, se aty brenda nuk ka asnjë provë konkrete manipulimi dhe që ato 9 dosje nuk do të spostojnë as me një presje rezultatin e 25 prillit. Edhe këtë herë mjafton të ndjekim pak logjikë për të arritur në përfundimin tim.

Kodi zgjedhor (neni 160) parashikon mundësinë e anulimit të zgjedhjeve për një qark të tërë vetëm kur provat konkrete tregojnë se rezultatet e një apo më shumë qendra votimi rezultojnë të manipuluara dhe se manipulimi është i atyre përmasave sa vë në diskutim dhënien e mandateve në atë qark. Gjykatësit e KAS dhe më pas të kolegjit zgjedhor ku me siguri 9 dosjet do të kalojnë për të arritur një vendim përfundimtar, duhet të fokusohen në një analizë numerike dhe jo politike të manipulimeve të pretenduara. Që do të thotë: Sa skeda nuk janë numëruar? Sa vota u dhanë në mënyrë të gabuar për një kandidat në vend të një tjetri? Sa skeda apo kuti votimi u dhunuan? Ja pra, në 9 dosjet e PD nuk ka asgjë të kësaj natyre dhe kjo shpjegon se pse Basha nuk kërkon rinumërim në asnjë prej qendrave të votimit, por merr një rrugë e shkurtër dhe pretendon të anulojë në bllok zgjedhjet dhe t’i ribëjë ku ka humbur.

Ato që denoncon PD nuk janë shkelje formale dhe konkrete të ndodhura në procedurat brenda qendrave të votimit apo të numerimit diten e zgjedhjeve (të vetmet që do të mund të çonin në një vendim të pavlefshmërisë së rezultatit të një apo më shumë qarqeve), por janë kontestime politike mbi aktivitetet e zhvilluara javë dhe muaj para 25 prillit, aq të përgjithshme, sa pengojnë një “cilësim numerik të dëmit zgjedhor” dhe si pasojë vendimin nëse votimi duhet përsëritur apo jo. PD ka riprodhuar për shembull për KQZ përmbajtjen e dhjetëra padive të paraqitura në Spak dhe në prokurori para zgjedhjeve: një teknikë identike me atë të ndjekur më parë në zgjedhjet në Dibër dhe që i shërbeu prokurorit mik Hajdarmataj si pretekst për të përgjuar vetëm socialistët “meqë ishin vetëm ata që ishin denoncuar”. Ato përgjime (dosja e famshme 339) në vend që të përfundonte në gjykatë, iu dorëzua PD-së që në fund ia dorëzoi BILD-it, duke e transformuar veprimtarinë e prokurorisë në një mjet politik dhe në një bllof gjyqësor.

T’i shkruash sot KQZ-së se Filan Fisteku “ka blerë shumë vota me 5.000 lekë njërën”, pa dhënë provat dhe as numrin e votave të blera, ndoshta mund t’i shërbejë prokurorisë, por me siguri jo KQZ, pasi nuk lejon asnjë përllogaritje numerike për të kuptuar nëse në atë qark një apo më shumë mandate janë dorëzuar në mënyrë abuzive. Të pohosh, siç shkruan PD në rekurset e veta, se qeveria Rama ka shpërndarë leje ndërtimi, punësime, dëmshperblime dhe ndere klientelare, apo ka marrë vendime politike javë dhe muaj para zgjedhjeve, nuk do të thotë asgjë në përmbajtje numerike dhe ligjieshmerinë e rezultatit, pasi në fund të fundit, pyetja që gjykatësit duhet të bëjnë është gjithnjë e njëjta: sa është numri i votave që janë spostuar? Dhe PD kësaj pyetje nuk di t’i përgjigjet duke mos pasur asnjë provë konkrete, duke preferuar të kërkojë anulimin e gjithë zgjedhjeve, sikur të ishte rruga më e lehtë.

Praktikisht të gjitha argumentat e përdorura nga PD në dhjetëra faqet e dedikuara për secilin qark, një pjesë e të cilave të ripropozuara në mënyrë identike me kopjo dhe ngjit në secilën prej 9 dosjeve, janë denoncime politike të pambështetura as nga prova konkrete, as nga impakti matematik që kanë prodhuar te rezultati. Nëse për të bërë të pavlefshme një palë zgjedhje dhe përsëritjen e tyre do të mjaftonte një denoncim politik mbi veprimet që një forcë politike ka kryer para apo gjatë një fushate zgjedhore, atëherë nuk do të kishte më zgjedhje në Shqipëri, pasi ajo që ka shkruar PD sot kundër Partisë Socialiste, mund të shkruhet nesër nga pala tjetër, kundër PD-së. Ky do të ishte një precedent tepër i rrezikshëm për funksionimin e demokracisë, dëmtues për insititucionet njësoj siç ka qenë djegia e mandateve, dhe nuk mund të jetë një gjykatë që e legjitimon.

Të anulosh zgjedhjet është një vendim shumë i rëndë që kërkon prova të pakundërshtueshme manipulimi. Me gjithë mundimin e Lulzim Bashës, në 9 dosjet e tij nuk ka prova, nuk them të pakundërshtueshme, por as të lehta mbi tjetërsimin e rezultatit dhe manipulime brenda qendrave të votimit, por vetëm një lumë akuzash politike të përsëritura mijëra herë edhe para 25 prillit dhe mbi të cilat zgjedhësit u shprehën.

Atëherë, përse gjithë ky mundim? Përgjigja është e thjeshtë. Ato 9 dosje nuk shërbejnë për të përmbysur rezultatin e 25 prillit, por janë një përpjekje për të shpëtuar Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë. Nuk duhen prova për të treguar në sy të militantëve të vet se vota u vodh dhe se në këtë mënyrë Lulzim Basha nuk ka asnjë faj në humbjen e pësuar, por mjaftojnë shumë fjalë dhe 9 pako fletësh të fotokopjuara që të paktën tregojnë se kryetari punon. Dhe që beteja sapo ka filluar.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin