Ravit Hecht/ Nata e së mërkurës është nata më e keqe që kam përjetuar përgjatë historisë së Izraelit. Nuk kam qenë e pranishme as në luftën “Yom Kippur” dhe as në luftën e vitit 1948, kur komuniteti hebre në Palestinë dogji një përqind të popullsisë. Por më kujtohet shumë mirë kur i jepja makinës mes turmës së heshtur, ditën pasi kishin vrarë Yitzhak Rabin, bashkë me heshtjen ndihej dhe turpi që oshëtinte.
E kam të gdhendur në kujtesë ndjesinë e të qenit e shtypur pas bombardimeve të vitit 1990, luftën e Gazas në 2014. Luftë në të cilën barbaria e ngriti kokën e tij të shëmtuar, megjithatë kjo ishte e mërkura më e tmerrshme.
“Keqardhja nuk ndihmon” më tha një botues dikur. Një komentatori, një eseisti i duhet të nxjerrë në pah dështimet, të përcaktojë palët përgjegjëse, të argumentojë me fakte çka duhet bërë e çka nuk duhet bërë. Por pas të mërkurës, e vetmja gjë që mund të shkruajmë është keqardhja. Po, duhet të shkruhet. Duhet të ndjejmë keqardhje nëse duam të mbetemi të njerëzishëm.
Shohim pamjet e hebrenjve që turren rrugëve, thyejnë xhamat e dyqaneve të arabëve, ndërsa arabët rrahin një hebre për vdekje dhe askush nuk e ndalon, nuk mundohet t´a ndalojë çmendurinë.
Shikojmë Lod, Jaffa dhe Tiberianë që digjen në flakë. As nuk i dallojmë dot se cilët banditë janë kësaj here, kush po sulmon kë: arabët hebrenjtë, hebrenjtë arabët, apo të dy njëherësh. Vetëm raporte të dhimbshme dëgjohen: nëna e një 5 vjeçari, e ëma e të cilit bëri çdo gjë për t´a shpëtuar nga vdekja, por e gjora nuk ia doli. Një hebre i cili hyri padashur në Tamra dhe u vra në mënyrë të pamëshirshme. Lajme të tmerrshme njëri pas tjetrit. Nuk dëgjohet asgjë tjetër përveçse lajme makabre.
Vetëdijësohesh që fëmijët e tu po rriten në një nga ato vendet që e shikoje në lajme dhe ishte diçka e largët, por papritmas gjendesh duke e përjetuar atë ëndrrën e keqe, ëndërr të cilën e kanë përjetuar dhe vende të tjera, vetëm për shkak të ndryshimeve kulturore, vende si: Jugosllavia, Rwanda, Siria. Ti je aq afër, je gjiton. Por tanimë po ndodh bash aty ku ti je. Po të ndodh ty. Je përfshirë në ferrin e shkatërrimtarëve të mëshirës njerëzore.
E shpirti yt tretet, tretet nga turpi, nga hidhërimi, nga frika. Cila keqardhje është më e madhe dhe më e fortë – hidhërimi mbi djalin e vogël që vdiq, jeta e të cilit u shkatërrua, makabriteti i përjetuar kur një hebre rreh një arab, ndërsa në sfond dëgjoheshin: “Jetët e hebrenjve”? Cila?
Në mes të kësaj katrahure, në vend që të qajmë nga dhimbja, vazhdon të dëgjohet diskutimi mes të djathtëve e të majtëve, i cili ulërin si rraketat që ngrihen mbi kokat tona. Diskutojnë se kush bëri këtë apo atë, kush masakroi më shumë. Argumentet i ngjajnë një helmi. Kumti pra është që situata nuk mund të rregullohet më.
Hamas nuk duhet të ndezë më shumë rraketa. Tanimë ne jemi ndarë. Ka ardhur koha të ndahemi duke i shkaktuar sa më pak dëm tjetrit. Nuk mund të bashkëjetojmë më në të njëjtën shtëpi.
*Ravit Hecht është gazetare, hulumtuese izraelito-palestineze, drejtuese e ¨Standing Together¨. Ajo ka kompozuar dhe këngën që ka përfaqësuar Izraelin në Eurovision-in e vitit 2019.
Shkrimi u përkthye në shqip nga Albana Murra