MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Berisha dhe Meta, si histori të mbyllura

26.05.2021 - 22:15

Nga Dritan Hila

Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga administrata Trump. Nuk ishte punë i majtë apo i djathtë, por thjesht ishte një mizë kali që po i bezdiste amerikanët. Sala filloi me protesta dhe dalje nga Kuvendi për t’u treguar që mund të digjte vendin. Këta ia prenë shkurt.

Blinken vetëm e lexoi vendimin. Por edhe ky jo pa qëllim. E bëri t’i tregojë se nuk kanë ndërruar qëndrim, përkundrazi.

Që nga ky moment Sali Berisha dhe familja e tij janë të shumëzuar me zero për politikën e jashtme amerikane. Kush përpiqet t’i mbrojë, shkon bashkë me ta, pa shumë ceremoni.

Hedhja në gjyq në Francë që bën Berisha është diçka përtej barsoletës. Është në praktikat e tij për të kërcyer degë më degë që të shpërndajë vëmendjen, por është një kufomë politike. Për Perëndimin ai ka vdekur.

Kush përpiqet nga PD-ja që ta mbrojë, ose nuk e ka kuptuar ose është i kapur nga Berisha. Të parët aq mbushin. Të dytët kanë hall.

Berishës i ka ikur koha dhe nuk ka kthim pas për të. Përveçse i korruptuar, ai është për amerikanët edhe njeriu që pengoi demokracinë. E kanë shprehur qartë. Kështu që kush në ditirambet e tij i njeh Berishës statusin e maratonomakut të demokracisë, me siguri që ka probleme standardesh për këtë sistem. Lëre pastaj që amerikanët kanë hedhur në koshin e plehrave edhe tipa si Noriega, Somosa apo Pinoçeti, sa për të cituar disa, që i kishin në vijën e parë për frenimin e komunizmit, jo pastaj këtë që ia dinë historinë.

Pas Berishës do të vijë Ilir Meta. E shpëtoi për momentin vetëm qenia president pasi do të ishte e rëndë që amerikanët të shpallnin të tillë kryetarin e një shteti anëtar të NATO-s. Por e sigurt që e ka dekretin e firmosur në sirtar. Ndoshta kjo e bëri edhe që të tërhiqej me bisht ndër shalë nga premtimi i dorëheqjes.

Tani e vërteta e thjeshtë është që kush mbron këta të dy, e ka të mbyllur karrierën politike. Kurse ajo forcë politike që i përkrah shkon në gropë bashkë me ta. Amerikanët nuk kërkojnë falje edhe kur e kanë gabim. Lëre pastaj që me këta të dy që e kanë trashur zullumin sa nuk mban më, as që bëhet fjalë të kthejnë kokën pas. Janë histori e mbyllur. Në e zgjatshin prapë do të fillojnë me ngrirjen e pasurive që e dinë se ku i kanë. E nëse e vazhdojnë më tej, ata janë ustallarë të tredhin edhe dema, lëre pastaj keca si këta tanët që as i kanë problem.

E mira do të kishte qenë që vetë ne, shqiptarët, t’u kishim treguar vendin. Por ja këta jemi ne, të dobët, të pafuqishëm e madje adhurues të të fortit dhe të korruptuarit. Gjithsesi gjysma e të keqes. Pas katër vitesh nuk do t’ua dëgjojmë më zërin. E nëse ndodhtë që do t’i kemi prapë nëpër këmbë, atëherë duhet të jemi për t’u mëshiruar pasi jo që nuk dimë të luftojmë për lirinë dhe kundër të ligës, por e duam atë.

 

REMOTE_ADDR:[]