Mendoj se, vaksinat duhet të shihen si teknologjia e mundësive të shekullit të 20-të.
Shumë i referohen Maurice Hilleman-it, si “ati” i njerëzimit, pasi falë punës së tij është rritur ndjeshëm jetëgjatësia. Megjithatë, emri i mikrobiologut vijon të mbetet i panjohur. Shumë prej nesh jetojnë falë Maurice Hilleman, edhe pse nuk e dimë. Asnjë shkencëtar tjetër nuk ka ndihmuar në rritjen e jetëgjatësisë së njeriut, sa ky mikrobiolog që rrjedh nga një familje e thjeshtë. Hilleman zhvilloi vaksina të rëndësishme kundër shytave, fruthit, pneumonisë, lisë së dhenve dhe hepatitit B, për një total prej 40 sëmundjesh. Nuk njohim asnjë shkencëtar tjetër me një rekord të atillë. Megjithatë, emri i tij mbetet i panjohur, madje edhe në epokën e informacionit dixhital. Gjithkush që ka qasje në kujdesin mjekësor, duhet t’i nënshtrohet një sërë vaksinash që nga lindja, shumë prej të cilave janë zhvilluar nga Maurice Hilleman. Kush e njihte, e përshkruante si “plakush gërnjar”, por edhe të gjallë dhe zbavitës. Mbi të gjitha, ai ishte një njeri me preokupime dhe i përkushtuar./Konica.al
Maurice Hilleman lindi në Montana më 30 gusht 1919. Nëna dhe motra binjake vdiqën në lindje, kurse ai u rrit mes tetë vëllezërve e motrave në një familje të thjeshtë fshati, që punonin në pronat e tyre për të siguruar jetesën. Si edhe vëllezërit, Maurice merrej me tregti bujqësore, veçanërisht në rritjen e pulave. Vite më vonë do të shprehej se ajo punë i shërbeu jashtëzakonisht shumë në studimin e ardhshëm, pasi shumë prej vaksinave përfshijnë vezë ose disa prej përbërësve të tyre si bazë. U rrit në një familje luteriane, ndaj fakti që u kap duke lexuar “Origjinën e specieve” të Çarls Darvinit përbëri skandal, ishte vepër e ndaluar, e pranueshme vetëm nga ateistët. Sidoqoftë, vëllai i madh nuk e interpretoi këtë episod si negativ, por si shpresëdhënës. Për këtë arsye, ai e inkurajoi dhe e ndihmoi të shkonte në universitet. Maurice ishte një student i mrekullueshëm, gjithnjë me rezultate të shkëlqyera. Fitoi edhe bursë për doktoraturë në Universitetin e Çikagos, ku u diplomua për mikrobiologji në vitin 1941. Emri i tij doli në skenë kur krijoi vaksinën kundër encefalitit japonez. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sëmundja mundoi ushtarët amerikanë në Paqësor. Më vonë, shkoi të punonte në një qendër kërkimore të ushtrisë dhe krijoi momentin e ri historik. Së bashku me një koleg, ai arriti të zbulonte një shpërthim gripi në Hong Kong. Falë një prej zbulimeve të tij, “derivatit gjenetik”, arriti të zhvillonte vaksinën kundër virusit. Mund të ishte shndërruar në pandemi, por falë Hillemanit, situata u mbajt nën kontroll. Përkundër kësaj, më shumë se 69,000 amerikanë vdiqën nga kjo sëmundje. Në vitin 1957, Maurice Hilleman filloi të punojë për kompaninë farmaceutike “Merck”. Shumë besojnë, se qenia në hije në mbarë botën vjen më shumë për shkak të lidhjes që pati me kompaninë, sesa për shkak të jetës akademike. Sido që të jetë, në atë sektor, Hilleman zhvilloi shumicën e vaksinave të tij. Një nga më të rëndësishmet, vaksina e shytave (ose shytave epidemike), ka një histori shumë të veçantë. Hilleman u martua me një infermiere dhe kishte dy vajza. Më e madhja, Jeryl Lynn, u sëmur me shyta në moshën 5-vjeçare. I ati mori një mostër kulture dhe, falë saj, zhvilloi vaksinën e famshme, të cilën ndoshta të gjithë e kemi bërë kur ishim fëmijë. Maurice ishte tejet skrupuloz në punë, mbikëqyrte dhe kontrollonte personalisht çdo fazë të zhvillimit të një vaksine të re. Ndoshta kjo është arsyeja, pse ai gëzonte reputacionin e njeriut kërkues, gërnjar dhe narcist./Konica.al
Mirënjohja globale që nuk erdhi kurrë
Thuhet se Maurice Hilleman ishte veçanërisht krenar për vaksinën e hepatitit B. Vlerësohet se ka ulur vdekshmërinë me 95%, të paktën në Shtetet e Bashkuara, megjithëse aktualisht përdoret në 150 vende. Një gjë e tillë e mbushte me kënaqësi studiuesin e madh. Po ashtu, vaksina ishte e para që parandaloi kancerin tek njerëzit, veçanërisht kancerin e mëlçisë. Ëndrra e madhe e Hillemanit ishte të krijonte një vaksinë kundër çdo kanceri. Prestigji i tij në botën e shkencës është i pamohueshëm, për këtë arsye mbajti poste të ndryshme, madje qe këshilltar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sidoqoftë, fama masive nuk i erdhi kurrë, pavarësisht kontributeve mbresëlënëse. Doli në pension, por asnjëherë nuk e ndali punën për vaksinat, deri në frymën e fundit, në 2005, në moshën 85-vjeçare.
Maurice Ralph Hilleman ishte një nga mikrobiologët/vaksinologët më të mirë të të gjitha kohërave. Luajti një rol kryesor në zhvillimin e vaksinave për gripin aziatik në 1957 dhe gripin e Hong Kongut në 1968. Gjatë gjashtë dekadave, shumicën e të cilave i kaloi në “Merck & Company”, lidershipi dhe inovacionet e tij hapën shtigje të reja në virologji, epidemiologji, imunologji, kërkimet për kancerin dhe zhvillimin e vaksinave të pakrahasueshme. Puna e tij rezulton në vaksinat aktuale që përdoren për parandalimin e fruthit, shytave, hepatitit A dhe B, lisë së dhenve, meningjitit dhe pneumonisë, të cilat kanë shpëtuar miliona jetë në të gjithë globin. Nevoja për bashkëpunim të ngushtë midis agjencive publike dhe private, përfshirë donatorët, për të promovuar kërkime në vaksinologji theksohet nga krizat e fundit globale shëndetësore, të tilla si viruset Ebola dhe Zika, si dhe kërcënimet vjetore të virusit të gripit. Zhdukja e shumë sëmundjeve është e realizueshme, por kërkon mbështetje politike për burimet, zhvillimin e vaksinave dhe harmonizimin e politikave të vaksinimit, për të qenë e arritshme. Hilleman punoi me shumë bashkëpunëtorë në qendrat akademike, në menaxhimin industrial, me të cilin udhëhoqi ekipin e kërkimit dhe zhvillimit për të prodhuar arritje në ndryshimin e botës.
“Maurice Hilleman do të mbetet në histori si specialisti i vaksinave të shekullit XX”, – shprehet profesori Robert Gallo. – Emri i tij do t’i bashkohet përgjithmonë emrit të Pastërit ose Koch-it në historinë e luftës së njerëzimit kundër sëmundjeve infektive. Ai ka qenë dhe do të mbetet një frymëzim për shkencëtarët, që kërkojnë të përdorin shkencën për të mirën publike”./Konica.al