MENU
klinika

Shifrat e infeksionit prej disa javësh në rënie

Covid-19 humbet terren, por mbetet frika nga një valë e re!

03.05.2021 - 07:11

Covid-19 vijon të humbasë terren, por kjo nuk i ka qetësuar ekspertët, të cilët paralajmërojnë një rritje të shifrave të infeksionit në mesin e muajit maj.

Grumbullimet e krijuara në fushatë, duke shpërfillur masat anti-Covid, pritet të sjellin kapërcim të kurbës, e cila ka pësuar rënie që prej fillimit të muajit prill. Shqetësimi u ngrit fillimisht në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, por edhe në fundjavë kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, vuri në dukje se ditët e fundit janë shtuar thirrjet për Covid, vizitat në banesë si dhe ka pasur një rritje të lehtë të shtrimeve në spital. “Patëm disa ditë që në qendrën e Urgjencës Kombëtare ishin zero kërkesat për tampon, tani kanë filluar janë rritur, 7-15 në 12 orë. Po vihet re edhe një rritje e lehtë e shtrimeve në spital. Nëse këto kohë kishim 10-12, tani kanë shkuar deri në 20 numri i të shtruarve në ditë”, tha Brataj. Ai paralajmëroi se kjo tendencë do të vijojë në rritje për të kulmuar në javën e tretë të këtij muaji. “Tubimet dhe grumbullimet më të mëdha u bënë ditët e fundit dhe duhen 2-3 javë për të parë se sa do të jetë rritja. Kuptohet që do të ketë një rritje fiziologjike më të vogël se herët e tjera, por mosrespektimi i masave po e tregon më së miri këtë”, shtoi doktori.

SITUATA

Për t’u rikthyer te situata e pandemisë dhe te mundësia e një valë të tretë? Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare kanë arritur imunitetin natyror 131 mijë persona, ose rreth 5 për qind e popullatës. Por çdokush është i vetëdijshëm që këto shifra janë disa herë më të larta. Madje, shkohet deri aty sa flitet për imunitet natyror. Nga ana tjetër, janë kryer rreth 493 mijë vaksina, ose thënë ndryshe 18 për qind e popullatës e vaksinuar. Në këto kushte, mundësia e përkeqësimit të situatës mbetet minimale dhe kjo më shumë sesa prej vaksinës është prej imunitetit natyror.

RASTET

Sakaq, të dielën janë raportuar vetëm 53 raste të reja nga 1535 testime të kryera. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 13 raste në Tiranë, 6 raste në Fier, 5 raste në Durrës, Devoll, 3 raste në Shkodër, Mallakastër, 2 raste në Korçë, Elbasan, Pukë, Librazhd, Sarandë, Skrapar, 1 rast në Vlorë, Rrogozhinë, Gjirokastër, Dibër, Gramsh, Libohovë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 748 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 110,920 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije ministria. Në lidhje me situatën në spital, aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 124 pacientë, 12 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Numri i të shtruarve ka ardhur në rënie ditë pas dite, duke bërë që të mbyllen disa nga pavijonet e dedikuara edhe në rrethe. Ndërkohë, në raport me muajin shkurt dhe muajin mars, vërehet një rënie e fataliteteve muajin e kaluar dhe ditët e para të majit. Në 24 orët e kaluara është raportuar një humbje jete si pasojë e COVID-19. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, një qytetar 77-vjeçar nga Korça e ka humbur betejën me COVID-19”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN