MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Demokratë, riktheni Doktorin, mos u fshihni pas Lulit

20.05.2021 - 20:14

Kjo është një thirrje krejt e sinqertë dhe pa asnjë nëntekst dashakeqës për  ish-kryeministrin Berisha dhe ata të shumtët brenda PD që po e përkrahin në këto orë dramatike.

Është i vetmi apel që mund t’i bëhet Doktorit dhe ndjekësve të tij, në kushtet kur Sali Berisha ka vendosur t’i shpallë luftë Amerikës dhe kur partia duket se nuk ka asnjë fije guximi dhe integriteti, për t’i thënë “ndal” këtij hapi të çartur. Më mirë sesa të fshihet pas kryetarit në detyrë pas 13 qershorit, Sali Berisha dhe demokratët berishistë duhet të bëjnë të vetmen gjë të ndershme në raport me partinë e tyre: ta lidhin atë hapur dhe publikisht pas betejave gjyqësore të Doktorit, duke i imponuar deri në fund fatin e tij politik.

Kjo do të ishte më e ndershme sesa teatri tetëvjeçar, ku Lulzim Basha bënte sikur drejtonte, ndërsa Berisha bënte sikur s’kuptonte gjë nga kulla e tij. Aq më tepër bëhet imperativ një sqarim raportesh dhe balancash në kokën e Partisë Demokratike tani, kur përveç të përpjetës si opozitë, PD-së do t’i duhet të përballojë edhe betejën personale ligjore të themeluesit të vet me administratën amerikane.

Sali Berisha po na provon këto orë se nuk ka asnjë dëshirë ta lejojë PD që të ketë një jetë të vetën, jashtë fatit dhe karrierës së tij të gjatë politike. Edhe këto orë ai po kërkon të identifikohet me dhunë me partinë, duke ja veshur asaj edhe hallin personal që i ka pllakosur me Uashingtonin.

Edhe më i dukshëm do të bëhet ky imponim kur PD të hyjë në Kuvend dhe të nisë rrugën e saj të gjatë në opozitë. Është e pavend që nga një anë kryetari i partisë, kushdo qoftë ai pas 13 qershorit, të mbajë një qëndrim të caktuar ndaj SHBA ose evropianëve në mëngjes, dhe Berisha të dalë në drekë në rrjetet sociale e ta hedhë në erë, për shkak të hesapeve të hapura që ka me amerikanët. Eshtë shumë më e ndershme që identifikimi i PD me ish-kryetarin të jetë i plotë, formal dhe statutor. Me fjalë të tjera, që PD të rikthehet tek dashuria e vet historike, duke i bërë vend liderit historik në krye të vendit dhe duke pranuar që të ndajë me të krizën me Amerikën, e cila nuk mbaron sot, por do të zgjasë në kohë dhe në hapësirë.

Është momenti që të bëhet qartësi brenda PD sa i përket fatit të Sali Berishës. Nuk kalohet ky moment me heshtje dhe as me qëndrime të dobëta dhe me dy faqe. Ose me partinë ose me Amerikën! Kjo është dilema e thjeshtë, por njëherësh shumë e vështirë e demokratëve. Nëse, siç duket, ata kanë vendosur të pajtohen diku me dëshirë e pathos politik me ish-kryetarin, e diku nga halli e në heshtje me andrallat e tij, më mirë t’i japin drejtim e të kthejnë Berishën në krye të vendit, sesa të vijojnë të përdorin kurrizin e dobët dhe anemik të Bashës. Kohë e vështirë, vendime të vështira…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“SHBA-të penalizuan simbolin e tranzicionit shqiptar”

Minxhozi: U godit një figurë e kulturës së urrejtjes. Frazat e Uashingtonit…


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin