Policia ka vënë në pranga një 32-vjeçar në Fier, i cili akuzohet se ka dhunuar një mjek në spitalin e qytetit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 32 vjeç, banues në Fier, pasi në Spitalin Rajonal Fier, në pavionin e patologjisë, ka ushtruar dhunë fizike gjatë ushtrimit të detyrës, ndaj mjekut shtetasit E. H., 38 vjeç”, tha Policia.
I riu tashmë do të hetohet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Sakaq, policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Divjakë, ku një person u plagos me thikë.
“Në datë 21.05.2021, rreth orës 22:35 njoftohemi se në fshatin Grabian, Divjakë, është plagosur me mjet prerës një shtetas.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë organizuan punën dhe bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe prangosjen e autorit.
Në fshatin Grabian, shtetasi S. J., pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin S. Q., 28 vjeç, banues në Grabian, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” shtetasin S. J., 31 vjeç, banues në Grabian, Divjakë” tha Policia.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.