MENU
klinika

Mesazh, ish-Kryeministrit

Edhe Ilir Meta ‘luftë’ SHBA-ve: Berisha ‘non grata’, fletërrufe e përgatitur nga regjimit kleptokratik në Tiranë!

22.05.2021 - 10:34

“SHBA-të nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre”. Deklarata është bërë sot nga Presidenti aktual i shqiptarëve për aleatin më të rëndësishëm të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në reagimin për të mbrojtur aleatin e tij Sali Berishën pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në listën e tyre të zezë duke e shpallur ‘non grata’, Presidenti nuk është kujdesur fare për gjuhën diplomatike, duke mos lënë gjë pa thënë ndaj amerikanëve. Meta e quan aktin e shpalljes ‘non grata’ të Berishës të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër .

“Të dashur qytetarë shqiptarë dhe bashkëkombas kudo në botë, Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, shkruan Meta në Facebook.

Presidenti ka publikuar edhe mesazhin që i ka dërguar Berishës me këtë rast duke i shkruar se “ata që financuan për të shpallur hero Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi”. Sipas tij kjo fletërrufe jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende s’është mbyllur.

“Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme: ‘Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe  amiljen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!’”, përfundon postimi i Metës në Facebook