Ekspozohen për publikun ikonat e punuara nga Diço Zografi, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
“Dyert e Bukura” të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan, si edhe disa objekte prej ari dhe argjendi, një kryq, mbulesa ikonash, kapakë ungjilli, etj, ekspozohen për herë të parë në ekspozitën “Ikonat e Diço Zografit”. Ekspozita me 12 ikona u çel të enjten paradite për publikun, në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Në prezantimin saj të pranishmit folën për rëndësinë e veprave të piktorit Diço Zografi, ku ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar është një hap i mirë drejt njohjes së trashëgimisë. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se piktori Diço Zografi vitin e kaluar kishte 200- vjetorin e tij të lindjes, që u festua në Maqedoninë e Veriut, ku ka edhe pjesën e tij më të madhe të koleksioneve.
“Në një konferencë të organizuar nga Akademia e Shkencave në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë edhe specialistë të Muzeut Historik Kombëtar ne zbuluam që kemi një trashëgimi jo të vogël, por mbi të gjitha duke e ditur se e bukura dhe arti janë dy eksponentë kryesor të Bashkimit Europian kuptojmë se kemi një të kaluar të përbashkët me të gjitha vendet tona fqinje, shkojmë drejt një solidariteti të përbashkët europian. Do t’ju ftoja ta shikonit me interes ekspozitën, e cila është e kuruar nga stafi i Muzeut Historik Kombëtar”, tha dr. Dorian Koçi gjatë ekspozitës, që u çel ditën e djeshme pranë MHK.
Në fjalën e tij në prani të ministres së Kulturës Elva Margariti, drejtori i MHK solli në vëmendje dhe punën që po bëhet së fundmi, për restaurimin e mozaikut. Ai tha se me rastin e 40 vjetorit të muzeut punimet do të përfundojnë. “Në bazë të programit “EU for Culture” u bë e mundur, që të nisin punimet për restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, që me rastin e 40- vjetorit të institucionit do arrijmë ta përfundojmë”, tha dr. Koçi.
Thesaret e muzeve tanë
E pranishme në muze, ministrja e Kulturës Elva Margariti vlerësoi ekspozitën me ikona. Në fjalën e saj, mes të tjerash, Margariti tha se kjo ekspozitë ka qenë e shumëpritur dhe e mirëpritur, sepse kemi një histori që patjetër duhet shpalosur dhe mbart në vetvete gjithë elementët që pasqyrohen. \
“Kemi thesare pa fund, në të gjithë muzetë tanë dhe patjetër, ky është një model ideal i Europës, dedikuar jo vetëm njohjes së identitetit, por edhe të bukurës shqiptare. Kam ndjekur me vëmendje gjithë materialin e përmbledhur në këtë ekspozitë dhe e them me krenari, që janë copëza të historisë tonë, të cilat, fatkeqësisht janë lënë në harresë, por këto vitet e fundit, gjithmonë e më tepër i është kushtuar vëmendje”, u shpreh ministrja.
Për ministren e Kulturës, mjafton të përmendim Muzeun e Artit Mesjetar, që ka hedhur kaq shumë dritë mbi këtë pjesë të historisë dhe ka krijuar një jehonë tejet pozitive edhe jashtë kufijve.
“Mendojmë që kjo ekspozitë, sado e vogël, do të hedhë një hap drejt një bashkëpunimi edhe me ekspertë të huaj dhe do të jetë pjesë e një koleksioni, që do të fillojë me restaurimin e nevojshëm të ikonave në laboratorin e Muzeut të Artit Mesjetar. Ta katalogojmë edhe në aspektin digjital, pra të përfundojmë atë punë që e kemi filluar dhe nuk do të mbarojë asnjëherë, duke pasur parasysh të gjitha koleksionet që kemi. Uroj që ky të jetë një moment i parë me njohjen e kësaj figure, duke shkuar përtej mistikes që ai prezanton dhe mbi të gjitha, për t’ua bërë të njohur të rinjve”, – ka përfunduar ajo.
Ekspozita me ikona, vjen në vijim edhe të veprimtarive të tjera, që muzeu ofron këto ditë.
*Fotografia kryesore: Kostandin Zografi