Me lehtësimin e masave nga 1 qershori që, përpos të tjerave, rikthen shërbimin urban me kapacitet të plotë, Bashkia e Tiranës do të riorganizojë shërbimin e transportit publik, që nga itinerari, frekuencat e lëvizjes, kushtet e shërbimit e të tjera.
Në relacionin e Këshillit Bashkiak bëhet e ditur se për të riorganizuar shëbimin e transportit publik, duhet të studiohen paraprakisht volumet e udhëtimit, për të cilën operatorët e transportit urban thonë se janë në nivelet minimale. Ndaj, ka vendosur që për muajt qershor, korrik e gusht të heqë abonenë e përgjithshme.
Me një abone 1600-lekëshe, çdo qytetar mund të udhëtonte në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit.
Tanimë, për të marrë shërbim në dy linja të ndryshme nevojiten dy të tilla, në vlerat e 1200 lekëve, ose 40 lekë për çdo udhëtim me urbanë. Një vendim i tillë penalizon veçanërisht ata që shkojnë çdo ditë për në punë.
Qytetarët nuk janë njohur ende me vendimin që pritet të marrë “OK” të hënën në Këshillin Bashkiak, në datën 31 maj, për t’u implementuar të nesërmen.
ARSYET E VENDIMIT
Relatorët e projektvendimit të dorëzuar për miratim në Këshill Bashkiak thonë se pandemia ka vënë në vështirësi jo pak sektorin e transportit.
“Shërbimi publik eci me hapa të ngadaltë duke rritur pak nga pak kapacitetet transportuese dhe frekuencat e lëvizjes.
Kjo rritje e kapaciteteve lëvizëse në transportin publik arriti deri në 60 % të niveleve të parapandemisë dhe nuk arrin edhe sot të ngrihet më shumë, pasi volumi i udhëtarëve të transportit publik ra në vlera paralele me mjetet e transportit publik në operim gjatë kësaj periudhe”.
Me hapjen e madhe të Tiranës, do të ketë edhe një ristrukturim të shërbimit, i cili do të vijë vetëm pas monitorimit të linjave nga një kompani gjermane.
Për të dalë në konkluzione të sakta, sipas relacionit, do të duhet heqja e abonesë së përgjithshme.
“Me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave; frekuencat; kushtet e shërbimit; gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit, lind nevoja e heqjes së biletës së përdorimit mujor të përgjithshme (abone e përgjithshme), për një periudhë tremujore, pasi kjo periudhë do të shërbejë që nëpërmjet vijimit të matjeve në terren, të studiohet dhe analizohet situata me të gjithë impaktet, me qëllim ristrukturimin e linjave në itinerare, frekuenca, kushte shërbimi si dhe rishpërndarjen e volumeve të udhëtarëve”, citohet në projektvendim, i cili iu propozon 61 anëtarëve të këshillit miratimin e tij, si një shtesë në vendimin nr. 66, datë 30.12.2015, “Për indeksimin e tarifave të transportit qytetas në Bashkinë e Tiranës”.
Pas ankesave të operatorëve të transportit publike, përgjatë dhjetor 2020-janar 2021, bashkia kreu sondazhe dhe matje, të cilat konfirmuan konstatimet e hershme sa i përket uljes së volumeve të pasagjerëve në transportin publik.
Ndryshe nga sektorë të tjerë që mezi prisnin hapjen në muajt pandemikë, transporti kërcënoi se do të fikte autobusët fill pasi rinisën punën, për shkak të volumit të ulët.
Madje, u tregua i gatshëm t’i vërë në dispozicion bashkisë flotën e saj dhe të pilotojë shërbimin që nuk mbulon as kostot minimale.