Lulzim Basha ka nisur një fushatë tjetër, fushatën brenda partisë, nëpërmjet së cilës ai kërkon të rikonfirmohet në postin e kryetarit të partisë. Ka filluar të dalë nëpër Shqipëri. Ka filluar të marrë takime dhe kontakte ekskluzivisht me demokratët, këtë herë. Jo me shqiptarët. Dhe mantra e kësaj fushate është një dhe vetëm një: “Është bërë një masakër elektorale. Ne nuk humbëm. Na vodhën zgjedhjet!” Madje dje, nga Përmeti, ai na bëri me dije se në Partinë Demokratike kanë përgatitur një raport të hollësishëm mbi masakrën elektorale. E kanë përkthyer në anglisht dhe do t’ua nisin të gjithë njerëzve nëpër botë, në botën perëndimore, që janë të interesuar apo që ndjekin zhvillimet politike në Shqipëri. Kjo është një dukuri dhe praktikë shumë e shëmtuar.
Unë mendoj se së pari, nisma e raportit që do të dërgohet jashtë është një nisëm budallaqe, sepse të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë nuk kanë nevojë të informohen nga aktorë lokal, lidhur me zhvillimet politike dhe jo politike shqiptare. Ata kanë burimet e tyre. Sidomos kur vjen puna te zgjedhjet, te proceset elektorale, ata kanë burimet më të besueshme në botë. Kanë vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it. Dhe midis këtyre të fundit dhe vëzhguesve të Partisë Demokratike, apo aparatçikëve të Lulzim Bashës, partnerët ndërkombëtarë, por edhe ne si shqiptarë, besojnë të parët, besojnë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODHIR-it. Kjo është e qartë.
Nisma përveçse është budallaqe, është edhe e ligë. Sepse të liga janë përpjekjet që janë një ritual i mërzitshëm tanimë në Shqipëri, prej 30 vitesh. Përpjekjet për të diskretituar, denigruar, nxirë, sterrosur apo katranosur kundërshtarin politik, apo realitetin politik në Shqipëri përballë të huajve. Me fjalë të tjera, është e shëmtuar përpjekja për të nxjerrë rrobat e palara të shtëpisë në pazar. Dhe kjo është një praktikë berishiane, prej së cilës duhet të heqim dorë. Është një praktikë që e ka shpikur Berisha, si shumë praktika të tjera. E meqë jemi te kjo praktikë që unë e kualifikova si berishiane, më duhet t’ju rrëfej një anekdotë nga jeta ime, por edhe nga jeta e Sali Berishës, e Fatos Nanos, dhe e disa të tjerëve.
Nga viti 2000-2001, kur unë punoja për gazetën “Shekulli”, në Strasburg u organizua një ditë për Shqipërinë, në përgjigje të sherreve lokale që po bëheshin në atë moment midis Fatos Nanos, që ishte kryeministër, dhe palës tjetër, që është përfaqësuar prore nga Sali Berisha. Salla ishte mbushur me europarlamentarë. Ishin disa qindra europarlamentarë. Fjalën e mori Fatos Nano, i cili mbajti një fjalim të shkurtër, të thjeshtë, normal. Nuk la shenjë, por edhe nuk i la indiferentë ata që ishin aty. Pas tij e mori fjalën Sali Berisha, i cili filloi të nxirrte zjarr nga goja, siç e ka zakon. Madje në një moment, ai drejtori gishtin nga Fatos Nano që e kishte dy metra larg dhe u tha europarlamentarëve: “Ky njeri bën tregti fëmijësh me Al Qaeda-ën.” Uau!!! Mund të duket e pabesueshme sot nga largësia e viteve, por është e vërtetë.
Unë jam dëshmitar që kjo është e vërtetë. Unë kam bërë edhe një shkrim në atë kohë për “Shekullin”. Ka qenë një nga momentet kur (bashkë me gazetarët e tjerë) kam qenë i shqetësuar. Por më i shqetësuar ishte Fatos Nano. Ai i hodhi një vështrim përbuzës bashkatdhetarit të tij sikur donte t’i thoshte: “Ç’na bëre mor, njeri mizerabël!” Vuri duart në kokë, dhe pak sekonda më pas e la fare takimin. Iku dhe nuk u kthye më. Përballë europarlamentarëve mbeti vetëm Berisha i cili filloi në stilin e tij të fliste për Shqipërinë ashtu si ai dinte të fliste. Shumë europarlamentarë reaguan. Disa madje qeshën e disa filluan të talleshin. Dhe ky është reagimi që duhet të presin politikanët. Talljen dhe të qeshurat, sa herë që dalin jashtë e flasin keq, vjellin vrer, denigrojnë kundërshtarin e tyre politik. Edhe kur të qeshurat nuk iu hidhen në fytyrë, të jenë të sigurt, se pasi mbyllin derën dhe largohen, miqtë e tyre që i kanë pritur qeshin dhe ndoshta qeshin me të madhe.
Kjo është arsye që duhet të reshtin politikanët tanë, sidomos kur janë në opozitë, me përpjekje të tilla, për të zhvendosur a eksportuar të gjitha çmenduritë tona, rrugaçëritë tona, budallallëqet tona në Europë, në Amerikë, apo në të gjithë botën perëndimore. Ne hallet dhe problemet mund t’i zgjidhim këtu brenda. Ka mjaft hapësirë për t’i zgjidhur së brendshmi. Madje, unë mendoj se edhe shumë probleme që u identifikuan (një pjesë prej tyre edhe me të drejtë) nga opozita, gjatë procesit elektoral të fundit, siç ishte, për shembull, përdorim i administratës publike në funksion elektoral, mund të kishin gjetur zgjidhje që në datën 25 qershor 2020, kur u bë negociata e famshme midis PS-së dhe PD-së, në prani të ambasadores amerikane.
Në atë takim, në atë negociatë, Partia Demokratike ishte e lirë të bënte të gjitha propozimet, sepse mazhoranca, nën presionin e ndërkombëtarëve, tregoi gatishmërinë për t’ia marrë në konsideratë të gjitha sugjerimet, propozimet e çfarë ajo kishte në mendje. Dhe në fakt, gjithçka që u bë, u bë sepse deshi Partia Demokratike. Pra, është e mundur, është e lehtë, sido që ishte nën praninë e ndërkombëtarëve.
Diçka të fundit. Dje dhe sot ka qenë në Tiranë ministri gjerman për Europën, Michael Roth. Ai pati një takim dje me kryeministrin Rama. Dhe sot pati një takim me liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në konferencën për shtyp me Ramën, ai u dëgjua të vetëofrohej për të zgjidhur krizën në Shqipëri, për të nxitur dhe inkurajuar dialogun midis palëve, midis mazhorancës dhe opozitës. Sipas meje kjo është një gjë e turpshme. Por turpin nuk e bën ministri gjerman. Turpin e bëjmë ne të gjithë, që njerëz të tillë si ai, i detyrojmë, i vendosim në situatën në të cilën ata ndjehen të detyruar për t’u vetëofruar si zgjidhës të krizave.
Unë jam i sigurt se këtë gjë ai ia ka thënë edhe Bashës. Sikur të isha në vend të Bashës, përgjigja ime do të ishte: “Faleminderit shumë, z. Ministër! E vlerësoj shumë gatishmërinë tuaj. Por ka ardhur koha, pas 30 vitesh me të njëjtën histori kontestimesh, mosmarrëveshjesh e sherresh, ka ardhur koha që të merremi vesh me njëri-tjetrin, dhe unë do të bëj çmos të merrem vesh me mazhorancën dhe me liderin e mazhorancës. Faleminderit shumë! Danke!”
Por jam i sigurt se Lulzim Basha nuk e ka bërë këtë gjë. Unë di edhe arsyen pse. Ai nuk e ka bërë, sepse nga momenti që bën këtë gjë, nga momenti që u thua të gjithëve se unë do t’i zgjidh vet, së brendshmi, problemet e mia, ti nuk ke më gojë të hapësh pas zgjedhjeve për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në rastin që ti ato i humbet. Mirëpo, për politikanët e opozitës, për liderin e opozitës, gjëja më e rëndësishme nuk është të fitojë zgjedhjet.
Kjo është e rëndësishme, por ka një gjë edhe më të rëndësishme. Dhe kjo është të ketë shansin a mundësinë që t’i kontestojë zgjedhjet, nëse ato i humbet. Nëse nuk e ka këtë shans, ai është i vdekur. Shikoni Lulzim Bashën! E vetmja degë ku po kapet është dega e masakrës elektorale. Po të mos ishte kapur te kjo degë, ai do të kishte ikur tanimë. Duhet të heqim dorë nga kjo praktikë e shëmtuar.