Të gjithë shtetasit e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë nuk do të kenë më detyrim për pajisjen me leje pune afatshkurtër.
Sot Qeveria e Kosovës, mori vendimin me të cilin shtetasit e Shqipërisë lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër, njoftoi në facebook, Xhelal Svecla, ministër i punëve të brendshme i qeverisë së Kosovës.
“Ky Vendim është në frymën e programeve dhe aspiratave të shprehura të subjekteve politike që fituan zgjedhjet dhe krijuan qeverinë legjitime me mbështetjen e shumicës absolute në 14 shkurt.
Është vetëm një hap, por megjithatë i domosdoshëm, drejt realizimit të interesave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, në kuadër të premtimit tonë për realizimin e përshpejtuar të gjithë marrëveshjeve të lidhura nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk ka asnjë arsye të mbesin vetëm në letër.
Shqipëria prej kohësh e ka zbatuar këtë marrëveshje, në përfitim të shtetasve të Kosovës që punojnë në Shqipëri, ndërsa është turpërues fakti se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen dhe nuk e ka lehtësuar veprimtarinë e shtetasve të Shqipërisë në Kosovë.
Poashtu, Vendimi është në frymën e avancimit të bashkëpunimit ndër-shtetëror dhe ka për qëllim që të lehtësojë mobilitetin në punë, duke thjeshtësuar, brenda autorizimeve ligjore, procedurat administrative në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për qëllim të qasjes së lirë në tregun e punës nga të gjithë shtetasit tanë, kudo që vendosin të punojnë në të dyja shtetet.
Me këtë krijohet një treg më i madh pune, më shumë mundësi dhe lehtësi për punëdhënësit e punëkërkuesit nga Kosova e nga Shqipëria, dhe forcon ekonomitë e shoqëritë tona”, tha ministri i punëve të brendshme. Marrë nga Monitor.al