Kreu në detyrë i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidat për kreun e PD-së, Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas një deklarate të ish-presidentit Bujar Nishani, se ai e dinte se Berisha ishte shpallur ‘non grata’ në SHBA.
Në një reagim në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, Basha shkruan se hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët, siç e cilëson ai, duke shtuar se “inati e mllefi personal e ka një limit” dhe se ky sipas Bashës është kaluar. Basha shkruan me tej se kjo shpifje u shërben atyre që duan të bëjnë gjithçka për të përçarë Partinë Demokratike.
‘E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.’ -shkruan Basha.
Por duket se deklarata e Lulzim Bashës është nxitur edhe nga reagimi i ish-kreut të PD-së Sali Berishës në një studio tjetër televizive, ku u pyet nëse e dinte Basha se ai ishte shpallur “non grata” nga SHBA, ndaj dhe afroi datën e zgjedhjeve për kreun e PD-së, ashtu siç pretendon Bujar Nishani. Berisha tha se i takon Bashës, që të sqarojë nëse është e vërtetë ajo që ka deklaruar Nishani.
“Në situata të tilla janë të pashmangshme qarkullimet e mendimeve të ndryshme. Së pari, ato që thotë zoti Nishani, për të cilin kam respekt të padiskutueshëm dhe ai ka qenë dhe është, për kohën, një nga bashkëpunëtorët më të shkëlqyer, personalisht, përveç fjalëve në ajër, nuk kam asnjë të dhënë konkrete. Të marrim pak nga ana tjetër, se duhet të jemi racionalë në arsyetim: që të ketë ndikuar Lulzim Basha në këtë proces, unë nuk e besoj. Më befasoi data 13 qershor, unë prisja shtyrje, jo afrim të datës së zgjedhjeve për kryetarin e partisë. I takon atij ta sqarojë. Unë kur humba zgjedhjet dhashë shembullin tim me dorëheqjen”.- tha Berisha.
Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, bëri dje një deklaratë shumë të fortë ku tha se Lulzim Basha e ka ditur që ish-kryeministri Sali Berisha do të shpallej “non grata”. Sipas Nishanit, Basha afroi edhe datën e zgjedhjeve brenda PD pikërisht për këtë arsye. Ai shtoi po ashtu se shpallja e Berishës ‘non grata’ ka krijuar një lloj shoku politik brenda PD-së.
“Lulzim Basha e dinte se Berisha do të shpallej “non grata”. Kjo çështje ka krijuar një lloj shoku politik brenda PD-së, sepse Berisha është themeluesi dhe lideri historik. Jam i bindur që Basha ka afruar datën e zgjedhjeve sepse ka patur dijeni për shpalljen “non grata” të Berishës”, tha Nishani në emisionin “Frontline”.
Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” ish-kryeministrit dhe ish-presidentit, Sali Berishën dhe familjarët e tij, me argumentin se në funksionin si kryeministër i Shqipërisë, ai është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve.