MENU
klinika

Ku bazohet vendimi i Sekretarit Blinken për Berishën?

Kush është avokati 70-vjeçar Le Borgne që do të mbrojë ish-Kryeministrin në Paris

21.05.2021 - 10:03

Identifikimi i zotit Berisha nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, si person që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për arsye korrupsioni në nivel të lartë bazohet te Klauzola e Antikleptokracisë dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to.

Kjo klauzolë ka si synim luftën kundër korrupsionit si dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut, duke vënë në shënjestër aktorë të huaj, të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilëve u mohon vizën amerikane. Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të huaj, për të cilët shefi i diplomacisë amerikane ka informacion të besueshëm se “kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsionin që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Klauzola parashikon sanksione me mohim vizash edhe për të afërmit e zyrtarit në fjalë. Masat që shenjtërojnë zyrtarë të huaj të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e kanë zanafillën në ligjin e vitit 2008, por në rrjedhën e viteve Kongresi ka bërë amendime të tjera, ndër to duke specifikuar në vitin 2015 se zyrtarët e shënjestruar mund të identifikohen edhe publikisht nga Sekretari i Shtetit.

KUNDËRPËRGJIGJJA

24 orë pasi u njoh me vendimin e firmosur nga Sekretari i Shtetit të SHBA, ishKryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi se do të ndjekë një betejë ligjore ndaj z. Antony Blinken personalisht. Berisha noftoi se ka pajtuar një avokat francez për të ndjekur çështjen në një vend neutral të BE. Nga kërkimi i thjeshtë i bërë në rrjet, avokati francez i pajtuar nga Berisha renditet si ndër më të mirët në Francë për çështjet penale. Jean Yves Le Borgne, 71 vjeç, kryeson Shoqatën e Avokatëve Penalë të Francës, dhe ka mbrojtur në gjykatat e këtij vendi shumë personalitete të larta politike si ish-kryetarin e Parisit, Jean Tiberi, ish-drejtorin e kabinetit të Jacques Chirac, biznesmenë të mëdhenj, si edhe ish-bosin e “Renault”, sipërmarrësin Carlos Ghosn.

Ai konsiderohet politikisht në Francë si një golist me prirje nga e majta dhe disa herë ka tentuar të hyjë në politikë. Ende nuk dihet se si ai do të mbrojë çështjen e një qytetari shqiptar që akuzon anëtarin e një kabineti amerikan, në një shtet të tretë si Franca. I cilësuar si një nga penalistët më të mirë të vendit, 70-vjeçari Le Borgne, lind si filozof, iu drejtua jurisprudencës vetëm në vitet ‘70, dhe më së shumti në rolin e pedagogut. Vetëm në vitet ’90, emri i tij fillon të njihet gjerësisht si avokat i çështjeve tregtare, pasi kishte dështuar në politikë si kreu i një partie të vogël, atë të Unionit të Qendrës Republikane (L’Union Centriste Républicaine), edhe pse e cilëson vetën si një golist i majtë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Berisha jep përgjigjen epike dhe mbyll konferencën me brohoritje

A do e dorëzosh mandatin dhe të dalësh nga politika?