Në shkresën ankimore të paraqitur nga partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi janë parashtruar të gjitha shkeljet e pretenduara në Durrës, ndërsa më herët e njëjta gjë u bë me qarkun e Beratit
Në dokument theksohet se janë gjetur fletë votimi pa vula, ka pasur tentativa për votim të dyfishtë, dhe ka pasur mungesë të filmimit me kamera në një qendër votimit.
“1. Nga informacioni i vënë në dispozicion rezultoi se në disa QV u gjendën në kutinë e fletëve të votimit fletë pa vula, fakt i cili përveç se bie në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe Akteve Normative të miratuara nga Komisioni Rregullator, përbën indicie dhe provë të qartë dhe na bën të besojmë se janë futur fletë votimi nga jashtë QV-ve, të cilat kanë qarkulluar dhe janë plotësuar nga subjekti politik si garanci që votuesit e intimiduar, ndikuar apo blerë që të mos mashtronin.
2. Në çdo ZAZ janë konstatuar tentativa për votim të dyfishtë nga i njëjti zgjedhës, fakt i konstatuar nga printimet e PEI.
3. Është konstatuar mungesë e filmimit me kamera në Qendrën e Votimit 1257. Ky fakt bie në kundërshtim të plotë me Vendimin e Komisionit Rregullator nr.11 datë 25.03.2021 dhe Vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për përdorimin e kameras në Qendrën e Votimit. “, thuhet në kërkesën ankimore të LSI-së.
LSI kërkon ndryshim të Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Nr. 340 datë 4.05.2021 për miratimin e Tabelës Përmbledhëse për Rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Durrës, si dhe rinumërim dhe rivlerësim të votave për të gjitha ZAZ-të.