MENU
klinika

“Skenari rilindas do ishte vdekje e demokracisë”

Lubonja: Maxhoranca do një opozitë të urtë që s’flet për skandalet, dëshiron të heqë qafe presidentin

31.05.2021 - 18:10

Analisti Fatos Lubonja, në një lidhje me Skype në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se nëse skenari “rilindas” do të shkonte deri në fund, kjo gjë do ishte vdekje e demokracisë.

Lubonja theksoi se maxhoranca do një imazh sa më pozitiv për vendin, duke shtuar se gjithashtu dëshiron ta heqë qafe presidentin.

“Unë kam bërë një shkrim sot dhe merresha me një lloj shprese të ndërtuar, të rreme ose një ëndërr me sy hapur, siՁ quaj unë, sikur pas eliminimit të tyre, qarkullon shumë në korridore, do të fillojë edhe goditja, shpallja non grata në krahun tjetër, në një farë kuptimi që do përfundojë tek Rama dhe kështu që e mira do të triumfojë. Kjo ishte ajo që unë e përgënjeshtroj. Ndërsa, ashtu si e formuluat juve, është më realiste, si ëndrra e Rilindasve, jo e shqiptarëve, që duan të çlirohen edhe nga rilindasit si një parti e sistemit, që kanë ëndërr të kenë opozitë të urtë, të butë, e cila të integrohet brenda udhëheqjes sonë, pra si fraksion i PS-së, ose e Rilindësve, pra një opozitë e cila as nuk ankohet më për zgjedhjet e vjedhura e të grabitura”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja vlerësoi se “rilindësve” iu duhet një imazh i një Shqipërie të paqtuar, me qëllim që të hapen negociatat.

 

“Përkundrazi, rilindësit e duan opozitën që pranon humbjen me fisnikëri, dhe që pastrohet nga disa koka të nxehta, sipas tyre dhe vendi ecën me siguri nën udhëheqjen e liderit suprem. Kjo është ëndrra e tyre dhe këtë po luajnë ata, sipas mendimin tim dhe me këtë projekt që kanë, për të hequr presidentin, pastaj derisa të trajtohet çështja e presidentit në Gjykatë Kushtetuese, mendojnë se duhet që të vijë shtatori dhe presidentin mund ta kenë hequr qafe e pastaj të ndërtojnë këta ëndrra që thashë. Në rast se realizohet kjo, komenti im është që kemi të bëjmë me vdekje të demokracisë, është ëndrra e diktatorit, por vdekje e demokracisë, për shkak se demokracia në fund fare është edhe konflikt, është edhe përplasje interesash.

Besoj se kjo është edhe në funksion të eliminimit të vëmendjes ndaj asaj që ndodhi më datë 25 prill, që Basha, edhe për interesat e tij, po e denoncon përditë, pra masakrën elektorale, që e quan ai, e cila shqetëson në njëfarë mënyre edhe ndërkombëtarisht rilindjen. Sot lexova edhe një shkriim të Le Figaro, që ishte përkthyer edhe në shtypin shqiptar. Rilindësve iu duhet shumë edhe ndërkombëtarisht një imazh i një Shqipërie të paqtuar, që ka një lider të legjitimuar, nga zgjedhje të rregullta e kjo mund të hapë një si imazh për Shqipërinë të pranueshëm, ndoshta hapje negociatash. Ky është projekti i tyre, ndërsa ai i opozitës pastaj mbetet që të shikohet”, u shpreh Lubonja.